e martë, 2 shtator 2008

Klaudio Ranieri: U treguam ngordhalaqë!

Trajneri i Juventusit pohoi se, mënyra si erdhi barazimi ndaj Fiorentinës ishte si një humbje për bardhezinjtë

“Plakja, - ka thënë njëherë Grouço Marks, - është ajo që të ndodh nëse je me fat.” Pavel Nedvedi është futbollist me fat, sepse jo vetëm që po vjetërohet, por po e bën këtë shumë mirë. Edhe pse është 36 vjeç, moshë në të cilën luajnë vetëm portierët dhe Eugenio Corini, ai ëndërron ende të shënojë gola të rëndësishëm. Ai e mbushi këtë moshë të shtunën dhe të dielën i dhuroi vetes një tjetër mbrëmje si protagonist. Në minutën e 39-të të pjesës së parë ai dërgoi në rrjetën e Fiorentinës një pasim të ulët, që i shërbeu Grygera, duke i heshtur 40 000 tifozët e “Franchit”, të cilëve u erdhi zëri vetëm falë Gilardinos, një minutë përpara përfundimit të kohës së rregullt. Ai qëlloi me fat, por jo Juvja, sepse, sikurse dihet, fati nuk ka sy.

ZËVENDËSIMI - “U treguam ngordhalaqë, - tundi kokën i zhgënjyer Claudio Ranieri. - Nganjëherë mund ta pranosh rezultatin, por kësaj here ky barazim është si një humbje për ne. Më vjen keq, sepse e kontrolluam mirë ndeshjen; mund ta kishim siguruar fitoren me goditjen me kokë të Amaurit apo me rastin e Del Pieros. Në atë pikë, kur ishim me një lojtar më tepër në fushë, duhej ta kishim mbyllur ndeshjen. Një skuadër me përvojë, si Juventusi, nuk duhet t’ua lejojë kundërshtarëve një mundësi të tillë.” Kishte shumë hidhërim në fjalët dhe në tonin e trajnerit, mbase edhe pse dërgoi në fushë Iaquintën, dhe jo Salihamidzicin, në vend të Camoranesit në minutat e fundit, të cilat rezultuan fatale. “Doja të shënonim golin e dytë, - e shpjegoi Ranieri vendimin e tij, - dhe jo që të kufizoheshim në ruajtjen e topit. Mbase duhej t’i mundësonim mbrojtjes të pushonte disi, por mendoj se bëra gjënë e duhur, sepse ishim në superioritet numerik. Gabimi ishte se ua lejuam kundërshtarëve të hynin në zonë me atë goditje dënimi; kam një vit që punoj për këtë aspekt. U tërhoqëm shumë.”

JUSTIFIKIMI - Megjithatë, Ranieri i justifikoi disi djemtë e tij. “Pa Chiellinin, Sissokon, Zanettin dhe Trezeguet mungonte shtylla kurrizore e skuadrës dhe m’u desh të vendosja në vend të tyre lojtarë të rinj, të cilët nuk kanë mësuar ende mirë ta analizojnë lojën e kundërshtarëve. Sepse Gilardino nuk të fal, kur ndodhet brenda zonës, dhe arrin të rrotullohet; jo më kot i kisha porositur lojtarët të kishin kujdes prej tij. Me pak fjalë, do të shkoj në shtëpi i qetë, sepse ndeshjen e interpretuam mirë deri në episodin e fundit.

FAJI DHE NDËSHKIMI - Megjithatë, trajneri nuk duhet të jetë i qetë, sepse pak më pas pohoi se “ky barazim është si një humbje, pasi e kishim ndërtuar fitoren, e kishim në dorë. Kjo na e shton hidhërimin, se pse nuk arritëm ta marrim trepikëshin”.
“Na vjen shumë keq, - theksoi edhe Nedvedi. - Ka të drejtë Ranieri, kur thotë se u treguam ngordhalaqë. Mund ta kishim mbyllur ndeshjen më parë, por, nëse nuk e bënë këtë ndaj kundërshtarëve si Fiorentina, është normale se më pas do të ndëshkohesh. Por, nga ana tjetër, ne nuk jemi skuadër që e qarkullon shumë topin, sepse përpiqemi të japim gjithnjë maksimumin.

Nuk ka komente: