e hënë, 1 shtator 2008

Camoranesi: Ne do të luftojmë për titull, Fiorentina jo!

Mauro Camoranesi insiston se Juventusi do të luftojë për titullin e kampionit gjatë këtij edicioni, derisa ka fshirë Fiorentinën nga lufta për titull, edhe pse në ndeshjen e parë të kampionatit të ri barazojë pikërisht me këtë skuadër 1:1 në Firencë. Bardhezinjtë kaluan në epërsi me golin e Pavel Nedvedit, në minutën e 39-të dhe ishin në rrugë të mirë për të arkëtuar tri pikë, por në minutën e 89-të skuadrën ngjyrë vjollce e shpëtoi nga humbja Alberto Gilardino. "Ne menduam se do ta fitojmë këtë ndeshje. E kontrolluam lojën në masë të madhe dhe nuk dukej se ata do të shënonin. Ishim më të mirë se rivali ynë dhe për këtë arsye jam i zhgënjyer që në fund morëm vetëm një pikë", ka theksuar Camoranesi. Para se të fillonte edicioni i ri mediat italiane kishin përfshirë pesë skuadra si kandidate për titull: Interin, Juventusin, Milanin, Romën dhe Fiorentinën, por Camoranesi mendon se djelmoshat e Cesare Prandellit ende nuk janë të gatshëm për të luftuar për titull. "Ne sigurisht se do të luftojmë për titull, kurse sa i përket Fiorentinës mendoj se ajo ende është një skuadër e re për të ndjekur titullin. Fiorentina sigurisht se do të përparojë në dy apo tri edicionet e ardhshme, por synimet e saj duhet të jenë që të jetë në mesin e katër skuadrave të para", ka theksuar Camoranesi. Në javën e dytë të kampionatit italian Juventusi do të jetë mikpritës i Udinezes, derisa Fiorentina udhëton tek Napoli.

Nuk ka komente: