e martë, 2 shtator 2008

Bufon e Nedved, të pakënaqur nga barazimi me Fiorentinen

“Duhet ta mbyllnim ndeshjen” Të kënaqur nga paraqitja, por në të njëjtën kohë të zhgënjyer nga rezultati. Këto janë prapaskenat e lojtarëve të Juventusit, pas sfidës së barazuar në transfertën e Firences, vetëm një minutë nga përfundimi i kohës së rregullt. Pavel Nedved, autori i golit të avantazhit për “Zonjën e Vjetër”, ia dedikon meritën e golit bashkatdhetarit të tij, Zdenek Grygera, ndërkohë që fton skuadrën të tregohet më e ashpër në minutat e fundit: “Goli im ishte meritë e Grygeras, i cili më dhuroi një pasim perfekt, unë vetëm sa e shtyva topin në rrjetë. Kurse, për sa i përket pjesës tjetër të takimit nuk kam asgjë për të kërkuar, përveç indiferencës së treguar nga ne në mbrojtje vetëm një minutë nga përfundimi i lojës. Duhet të tregohemi më të ashpër në atë pjesë të ndeshjes, pasi mund të kishim marrë kryesimin e klasifikimit, e sidomos një fitore tepër të rëndësishme kundër një rivali direkt si Fiorentina”, shprehet mesfushori çek. Ndërkohë, Gianluigi Buffon shfajëson shokun e tij të mbrojtjes, suedezin Olof Melberg i cili pas sfidës së të dielës është vënë në qendër të kritikave si shkaktari kryesor i golit të Gilardinos: “Mellberg është një mbrojtës me eksperiencë dhe nuk mund t’ia vëmë fajin atij. Pastaj, nëse topi mbërriti drejt e në këmbët e Gilardinos, faji është i të gjithë skuadrës”.

Nuk ka komente: