e martë, 9 shtator 2008

GAETANO SCIREA Shuarja tragjike e një ylli të madh

Gaetano Scirea, i lindur më 25 maj 1953, ka qenë një nga futbollistët italianë më të mëdhenj të të gjitha kohëve, i konsideruar si pasardhës i denjë i Franz Beckenbauerit në rolin e mbrojtësit të lirë. Është një nga pesë lojtarët e vetëm në kontinent që i ka fituar të gjitha trofetë për klube, të njohura nga FIFA e UEFA, së bashku me Antonio Cabrinin, Sergio Brion, Stefano Tacchonin dhe holandezin Dani Blind. Luajti me kombëtaren italiane për më tepër se një dekadë, gjatë së cilës ka qenë pothuajse i pazëvendësueshëm në mrojtje, duke fituar edhe Kupën e Botës, më 1982. Scirea ishte një mbrojtës elegant, me aftësi të mëdha teknike e taktike. Ndryshe nga shumë mbrojtës të tjerë, të ashpër dhe të varfër taktikisht, Scirea ka qenë i njohur për klasin, lojën korrekte dhe sportivitetin. Gjatë karrierës së tij nuk mori asnjë karton të verdhë dhe nuk u pezullua kurrë, çka përbën ndoshta rekord për një mbrojtës në nivel ndërkombëtar. Mjafton ky fakt për të kuptuar shumë rreth temperamentit dhe aftësive të mbrojtësit të famshëm. Për pjesën më të madhe të karrierës, Scirea luajti si libero dhe kontriboi shumë në zhvillimin e këtij roli të nisur nga Franz Beckenbauer në vitet ’70. Debutimin në Serinë A e bëri me Atalantën, por pas dy vjetësh shkoi te Juventus, ku qëndroi deri në fund të karrierës. Luajti 397 ndeshje në kampionat dhe shënoi 24 gola. Me bardhezinjtë fitoi gjithçka: 7 tituj kampionë, 2 Kupa të Italisë, një Kupë Kampionesh, një Kupë Kupash, një Kupë UEFA, një Superkupë të Evropës dhe një Kupë Interkontinetale. Me kombëtaren u bë një shtyllë e domosdoshme për trajnerin Enzo Bearsot, nën drejtimin e të cilit fitoi botërorin spanjoll. Pas 78 ndeshjeve me të kaltrit i la vendin një tjetër të madhi, Franco Baresit. Edhe fakti që ai mbajti për një kohë të gjatë jashtë formacionit Baresin flet për lojën e Scireas. Pasi u tërhoq nga futbolli, iu ofrua posti i ndihmëstrajnerit të Juventusit, që në atë kohë drejtohej nga Dino Zof. Scirea pranoi të bëhej vëzhgues në ndihmë të ish-shokut të skuadrës te bardhezinjtë dhe në kombëtare. Më 3 shtator 1989, Scirea ishte dërguar nga Zof të ndiqte një ndeshje të skuadrës polake Gornik Zabrze, me të cilën Juventusi do të ndeshej në turin e parë të Kupës UEFA. Në atë kohë, Polonia ishte në krizë ekonomike dhe njerëzit e kishin zakon të mbanin në makinë rezerva karburanti. Shoqëresi polak i italianit kishte dy bidona benzinë në bagazhin e makinës së tij, të cilët morën flakë pas një aksidenti që u ndodhi teksa shkonin drejt qytetit të ndeshjes. Të bllokuar në makinë, Scirea dhe shoqëruesi i tij gjetën vdekjen të karbonizuar. Ishte ditë e diel dhe lajmi mbërriti në Itali në mbrëmje, gjatë transmetimit të emisionit “La Domenica Sportiva”, në RAI 1. Pasi mësuan lajmin tragjik, të ftuarit në emision filluan të qanin, sidomos ish-shoku i skuadrës te Juve dhe në kombëtare, Marco Tardelli. Më 2005, ish-trajneri Enzo Bearsot propozoi që numri 6 të mos shfaqej më në asnjë fanellë të kombëtares apo të Juventusit. Scirea ishte më i miri, jo sepse vdiq, por sepse ishte realisht më i miri.

Nuk ka komente: