e martë, 9 shtator 2008

Legrottaglie: “Më të përgatitur për Champions se për Serinë A”

Nicola Legrottaglie, pas një periudhe të errët është shndërruar në një ndër shtyllat kryesore të formacionit bardhezi, mbi të gjitha të repartit të mbrojtjes. Fillimi i mirë i sezonit e bën shumë optimist për të ardhmen 31-vjeçarin, i cili është mjaft i kënaqur nga gjendja e skuadrës, por edhe nga gjendja e tij fizike. “Tri vite më parë kam menduar edhe tërheqjen nga futbolli, por tashmë ndihem i rilindur. Madje, mund të them pa frikë se në moshën 31-vjeçare ndihem më në formë se dhjetë vite më parë. Juventusi po rikthehet i madh dhe jemi gati për të arritur objektiva të mëdhenj”, shprehet Nicola Legrotaglie. Pas paraqitjeve të fillim sezonit dhe ndeshjes së parë kundër Fiorentinës në kampionat, mbrojtësi bardhezi nuk nguron të analizojë në një mënyrë të çuditshme Juventusin e këtij sezoni: “Besoj se skuadra e këtij sezoni është më shumë e projektuar për të bërë një paraqitje të shkëlqyer në Ligën e Kampioneve sesa në Serinë A. Jemi të bindur se mund të zhvillojmë një sezon në nivelet më të larta, kështu që shpresojmë që të sigurojmë sa më parë pikët e mjaftueshme për kalimin e fazës së grupeve të Championsit. Pasi në këtë mënyrë mund të përqendrohemi edhe më shumë në luftën për titull në kampionat”, përfundon mbrojtësi i Juventusit, Nicola Legrottaglie.

Nuk ka komente: