e enjte, 2 tetor 2008

Iaquinta: Dua të luaj më shumë!

Sulmuesi bardhezi, autor i dy golave që përmbysën disavantazhin në Borisov, kërkon më shumë besim nga trajneri Ranieri “Do të ishte më mirë që një talenti si Giovinco t’i jepej hapësirë. Me të në fushë ne sulmuesit e kemi më të lehtë për të shënuar” Të harrohesh në pankinë, të humbësh besimin e trajnerit, edhe pse për pak ditë, dhe më pas, në mënyrë të çuditshme, të thërritesh në një mision të vështirë, gati të pamundur, për të shpëtuar ekipin tënd nga “fundosja” në një mbrëmje të ftohtë të Champions League. Ky është filmi i të martës për Vincenzo Iaquintan, por edhe për talentin e vogël Sebastian Giovinco. Shtatshkurtri, i thërritur ndryshe “milingona”, bën rolin e “asist man”, pra atij që furnizon topa “të artë”, ndërsa tjetri rolin e bomberit, që shënon një “dopietë” vendimtare për të dalë me një pikë nga stadiumi i Bate Borsovit, në Bjellorusi. Në fakt, ishin këta të dy protagonistët bardhezi në një terren i cili do të jetë “fushbetejë” për shumë ekipe të tjera dhe që gjatë historisë ka parë një humbje tragjike të të madhit perandor të Francës, Napoleon Bonaparti, dhe trupës së tij, në lumin Benezina... Iaquinta dhe Giovinco nuk e lanë Juventusin që të mposhtej, por reaguan si dy kampionë të vërtetë. “E dinim se do të kishte qenë e vështirë, por jo që do të pësonim dy gola që në fillim të takimit. Këtë nuk e kishim parashikuar asnjëherë, por ja që në futboll ndodh edhe që të shpërqëndrohesh, që të vuash presionin e kundërshtarit dhe të befasohesh, sepse nuk e ke parashikuar një presing asfiksues të skuadrës që ke përballë”. Në këtë mënyrë shprehet autori i dy golave të shpëtimit nga disfata për “Zonjën e Vjetër”, ish bomberi i Udineses, Iaquinta, i cili 10 minuta nga fundi i la vendin e tij sulmuesit tjetër Amauri, që nuk dha fryte të mëtejshme. “Dëshira ime është që të luaj gjithmonë dhe të jap më të mirën për ekipin, por këtë e di trajneri. Pankina nuk i pëlqen askujt, por në një skuadër të madhe je i detyruar t’i përgjigjesh kërkesave dhe zgjedhjeve të teknikut. “Dopieta”? Jam shumë i lumtur që e realizova, por më pak i kënaqur, sepse nuk fituam. Giovinco? Ky nuk është vetëm një mendimi im personal apo një këshillë, por diçka që është konfirmuar në fushë: prania e tij na lehtëson shumë ne sulmuesve, sepsse jo vetëm që na shërben pasime të shkëlqyer, por na ndihmon shumë edhe me lëvizjet e tij. Eshtë një talent dhe kjo nuk vendoset në diskutim. Do të ishte më mirë që ai të luante më shumë...”.

Nuk ka komente: