Trajneri bardhezi: Jemi të ndryshëm, ai ka fituar unë jo. Nëse fitoj, do të lumturoj miliona tifozë.
Pas polemikave, përgjigjeve dhe kundërpërgjigjeve, tashmë do të vijë edhe përballja e parë fizike dhe futbollistike mes Mourinhos e Ranierit, si dhe Interit e Juventusit. Trajneri bardhezi do të gjejë mënyrën ta shohë nga afër “armikun” e tij të betuar që në këtë fillim sezoni, kur shtrëngimi i duarve para dhe pas ndeshjes mbetet thjesht një fantazi mes të dyve. Në intervistën e tij, Ranieri nuk lë hapësirë për të folur vetëm për marrëdhënien e tij të vështirë me Mourinjon. Pa dyshim që flet edhe për Inter-Juventus, një sfidë e pritshme si asnjëherë, por që është llogaritur në kalendar vetëm tri ditë pas takimeve miqësore të kombëtareve. Një problem jo i vogël, që Ranieri nuk e kalon pa e vënë re. “Kush është ndëshkuar më shumë mes nesh dhe Interit? Sigurisht ne, - tha trajneri bardhezi, - sepse Tiago nuk grumbullohej me Portugalinë që prej dy vjetësh dhe u thirr pikërisht tani. Nuk është mësuar me këto udhëtime, ndërsa ata po…” Për Ibrahimoviçin, Ranieri nuk do të bëjë polemika, edhe pse një sulmues i tillë duhet toleruar: “Ibra është kursyer? Nuk është frikë, por një fakt tashmë. Duhet të pushonte, sepse deri tani i ka luajtur të gjitha ndeshjet”.
- Ranieri, çfarë i thatë njëri-tjetrit të hënën me Mourinhon?
- I dhashë të drejtë. Eshtë e vërtetë që në Itali futbolli nuk pëlqehet, siç thoshte ai kohë më parë. Me 100 televizione përreth nuk flitet më për futbollin, por duhet bërë audiencë; kjo duhet shmangur nga sporti ynë.
- Çfarë nuk ju pëlqen nga Mourinho?
- Fakti që të gjithë lojtarët flasin mirë për të; do të thotë se ka një marrëdhënie të shkëlqyer, por ngre tonet e polemikave, ama.
- Sa vlerë pune kishit lënë ju në skuadrën (Chelsea) që trashëgoi Mourinho në Angli?
- Shumë. Me Abramovicin blemë shumë lojtarë, që pastaj ai i gjeti në skuadër, dhe u renditëm të dytët pas Arsenalit të pathyeshëm.
- Po sot, a e keni zili për ndonjë gjë?
- Jo, në fund secili ka atë që meriton, por në botën e sotme asnjë nuk të dhuron gjë.
- Në çfarë gjërash ndryshoni?
- Në gjithçka. Ai ka fituar, unë jo; e them pa polemikë. Por unë kam kohë në futboll dhe jam ngjitur gjithnjë e më lart, ndaj do të thotë që edhe pa fituar, kam punuar mirë.
- Çfarë ka sjellë sërish në Itali, Mourinho?
- Filozofinë e tij, edhe pse nuk duket akoma, sepse ka nevojë për kohë për t’ia transmetuar skuadrës. Është filozofia e një portugezi shumë pranë Italisë. Ndërsa unë jam një italian, që ka bredhur në botë dhe ka hapur lloje të tjera futbolli.
- A jeni dakord me Camoranesin, kur thotë se Interi është Ibra dhe të tjerët janë sa për numër?
- Beh, është një thënie e bukur! Nuk është e lehtë ta përkufizosh menjëherë një skuadër, por me Mourinjon skuadra është drejt përmirësimit.
- Meqë jemi te Camoranesi, a është gati të luajë nga fillimi?
- Të shohim si do të vijë nga kombëtarja. Nëse luan një orë futboll të mirë, siç di të bëjë ai…
- Çfarë ju bën më shumë krenar nga skuadra?
- Mënyra se si reagoi në momentin “jo”. Anomali ishin ato 20 ditë, jo muaji i fundit.
- A ka diçka që nuk do ta ribëni, duke rimenduar ato 20 ditë?
- Asgjë. Ishin të njëjtat gjëra që po bëj tani dhe i kam bërë gjithnjë.
- Megjithatë, Del Pieron nuk e keni zëvendësuar më, duke parë që ka qenë vendimtar.
- Në derbi po; Torino kishte dy topa për gol. Nëse do të kishte barazuar, do të ishte faji im, por asnjë nuk ka pasur ç’të thotë, sepse kemi fituar. Humb trajneri, fiton skuadra: kështu është shumë e lehtë. Këtyre gjërave u referohem kur them se në Itali nuk pëlqehet futbolli.
- As të rinjtë nuk kanë luajtur më?
- Kush? Marchisio, që është dëmtuar? Giovinco, që ka luajtur sa herë ka qenë e mundur? Molinaro, që nuk mund të luante në shtëpi, për shkak të vërshëllimave?
- Më të vjetrit, por edhe klubi, synojnë më shumë Championsin sesa kampionatin. Po ju?
- Unë do të parapëlqeja të fitoja diçka, por më shumë sesa një parapëlqim është një ëndërr, sepse duhet të përballemi kundër skuadrave më të mira të Europës, që kanë shpenzuar më shumë nga ne.
- Finalja është në Romë, në shtëpinë tuaj.
- Po, shpesh e mendoj, sidomos kur kaloj para “Olimpicos”. Është ëndrra ime dhe e gjithë trajnerëve. Por unë, të paktën nuk do të kem nevojë të prenotoj hotel, siç bëri Abramovici në finalen e fundit në Moskë…
kampionatet janë pesë: një titull kampion, një superkupë italiane dhe një UEFA. Jo keq për një njeri që si futbollist ka luajtur me Milanin.
e premte, 21 nëntor 2008
Abonohu te:
Posto komente (Atom)
Nuk ka komente:
Posto një koment