e premte, 21 nëntor 2008

Riva: Amauri më i mirë se Ibra

Futbollisti i dikurshëm italian, Luigi Riva, beson se sulmuesi i Juventusit, Amauri, është lojtar më i mirë se asi i Interit, Zlatan Ibrahimovic, ndërkohë që pret të shikojë një ndeshje të bukur në Derbin e Italisë të shtunën mbrëma. Riva ka qenë sulmues i Cagliarit dhe ka bërë 315 paraqitje në Serie A, ndërsa ka qenë pjesë e skuadrës e cila e fitoi Scudetton në vitin 1970. “Gjithmonë më ka pëlqyer Amauri. Ai është shumë i rëndësishëm për skuadrën ku luan. Ai mundohet shumë dhe nëse skuadra është në vështirësi, ai gjen zgjidhje”. “Ibra është lojtar më tepër teknik dhe tip i lojtarit që ka fantazi të mirë. Asnjëherë nuk kam menduar se do të bëhej kaq i mirë. Ibra është përmirësuar shumë që nga koha që është transferuar në Itali, mirëpo unë mendoj se Amauri është më i mirë”. “Takimi i mbrëmjes së nesërme konsiderohet si njëri ndër më të mirët në historinë e këtyre dy skuadrave. Interi nuk e ka mposhtur Juven qe katër vite në Giuseppe Meazza”, ka përfunduar Riva. Derbi i të nesërmes do të jetë Derbi i parë i Italisë për Amaurin, dhe pritet që ai të lë përshtypje në këtë sfidë.

Nuk ka komente: