e mërkurë, 19 nëntor 2008

Nedved frenon: Nuk jemi favoritë për titull!

Ndër portieri Buffon beson se Del Piero do të bëjë diferencën në sfidën e “San Siros”.

Kjo Juve dukej sikur nuk mund të ndalej më dhe paraqitej me njëqind kilometra në orë në përballjen me Interin. Pikërisht tani, në prag të supersfidës, duket se dikush nga lojtarët e saj ka shkelur frenat. Eshtë Pavel Nedved, idhulli i popullit bardhezi, që i hedh zjarr ujit, në lidhje me entuziazmin për titullin kampion: “Ne mund t’u prishim punë të gjithëve, në kreun e renditjes e deri në javën e fundit, por nuk besoj se do ta fitojmë titullin, ekipet favorite janë të tjera”. Jo vetëm kaq. Meqë ishte në temë, mesfushori bardhezi ka ngulmuar në të njëjtën linjë edhe për Derbin e Italisë: “Do të shkojmë atje për të fituar; do të jetë një përballje e rëndësishme, por vlen vetëm tri pikë, si ndeshjet e tjera. Fitorja do të ishte shumë pozitive për ne dhe unë do të isha shumë i lumtur, por llogaritë nuk bëhen në nëntor, bëhen në maj. Titulli? Besoj se Juventusi nuk është një nga favoritët, por do të luftojmë deri në fund dhe do t’i bezdisim të gjithë. Do të ishte i rëndësishëm një sukses të shtunën, por fitoret më të rëndësishme janë ato të majit. Do të doja të prisja disa muaj, për të fituar diçka. Championsi? Ky ekip ka treguar se mund të përballet me këdo edhe në Europë, por, siç kam thënë më parë, shpresoj të fitoj diçka të rëndësishme në maj. Mjafton të gabosh vetëm një ndeshje, dhe je jashtë”. Edhe diçka mbi emrin që e bën të dridhet portën bardhezi: Zlatan Ibrahimovic. “E njoh shumë mirë, është një lojtar që bën diferencën prej disa vitesh tashmë, por, për fat të keq, jo më për ne. Jam i sigurt se do të arrijë të fitojë shumë tituj, edhe personalë. Jam i lumtur që do të ndeshemi me Interin tani, sepse në këtë moment ne jemi në formë të shkëlqyer. Nuk duhet të tregojmë asgjë para askujt, nuk dua të dëgjoj të flitet për hakmarrje, do të luajmë vetëm për tri pikët dhe për të parë se kush është më i fortë. Lojtari që mund të na ndihmojë më shumë? Camoranesi. E kemi ndjerë shumë mungesën e tij, për ne është thelbësor. Me atë në fushë, loja jonë është më e mirë, më e rrjedhshme. Shpresoj ta shoh në fushë të shtunën.” Mendimi i fundit i dedikohet Champions Ligës. “Shpresojmë të arrijmë deri në fund, por këto janë kompeticione ku mjafton një gabim i vetëm për t’u gjendur jashtë. Shpresojmë të mos gabojmë në asnjë moment,” - ka përfunduar Nedved.

BUFFON - Buffon, i cili do të mungojë në supersfidën e të shtunës, për shkak dëmtimi, ka pohuar se do të mungojë edhe në tribunën e stadiumit, sepse e ka shumë të vështirë ta ndjekë një ndeshje kaq delikate si spektator. “Nuk besoj se do të jem në stadium. Në tribunë vuaj shumë. Kur je mësuar në rolin e protagonistit, është shumë e vështirë të qëndrosh si spektator. Për më tepër, në ndeshje kaq delikate, sa më pak shpërqendrime të kenë shokët e ekipit aq më mirë është. Vetëm sa do t’i shqetësoja,” - është shprehur numri një i bardhezinjve. Por portieri i kombëtares italiane ka besim te zëvendësuesi i tij Manninger. “Do t’i jepja ndonjë këshillë, nëse do të ishte lojtar i ri, por ai është më i madh se unë dhe ka luajtur në një ekip të madh si Arsenali. Po bën një paraqitje të shkëlqyer, duke parë se pothuajse nuk po pësojmë asnjë gol. Lojtari që mund të bëjë diferencën në këtë sfidë, për Bufonin, mbetet kapiteni bardhezi: “Duke parë se si po luan, unë mendoj dhe i uroj që ai të jetë vendimtar”. Ndërkohë, portieri më i mirë i botës nuk pranon të shprehet se kush është më i mirë nga dyshja Ibrahimovic-Del Piero. “Aleks dhe Ibra janë ata që shënojnë më shumë, por nuk duhet të harrojmë se pas krahëve të tyre është puna e një ekipi të tërë, lojtarë të tjerë të rëndësishëm që bien më pak në sy. Nëse do të zgjidhja njërin, do të ishte mungesë respekti ndaj tyre. Nuk më mungon, sepse Juventusi në sulm nuk ka probleme. Me Del Pieron në këtë gjendje, Amaurin dhe Iaquintën, për të mos përmendur Trezeguet, që tani nuk luan, nuk ka arsye pse të më mungojë Ibra.

Nuk ka komente: