e premte, 28 nëntor 2008
130 milionë euro për Kaka e Buffon
Mançester City përgatit ofertën për dy yjet në merkaton e janarit.
Me merkaton e janarit që po afron, thuajse të gjitha klubet po përgatiten të plotësojnë kontingjentin. Situata ndryshon te Manchester City, drejtuesit e të cilit janë gati të "hapin thesin". Milionat e sheikëve arabë mund të bëjnë që portieri i Juventusit, Gianluigi Buffon, dhe braziliani i Milanit, Kaka, t‘i thonë "lamtumirë" Serisë A. Sipas mediave angleze, City po përgatit superofertën prej 130 milionë eurosh për dy lojtarët. Emri i "gardianit" është përfolur në "Istlends" që prej momentit kur në krye të klubit erdhi sheiku Mansour bin Zajed Al Nahjan. "The Daily Telegraph" pretendon se me këtë shifër, skuadra e Premiershipit kërkon të blejë dy prej yjeve më të mëdhenj të kampionatit italian. Edhe pse lajmi nuk konfirmohet zyrtarisht nga klubi, si Buffon ashtu edhe Kaka vlerësohen 65 milionë euro. Pavarësisht krizës ekonomike që ka pushtuar botën, City nuk mendon të tërhiqet nga synimi për të ndërtuar "skuadrën e ëndrrave", me të cilën kërkojnë të jenë protagonist në Premiership dhe në arenën ndërkombëtare. Tashmë duhet parë nëse paratë do të shërbejnë për të "joshur" dy klubet e Serisë A: deri më tani, Milani i ka rezistuar tentativave të rivalëve (kryesisht të Realit të Madridit), duke e cilësuar Kakanë të pashitshëm, ndërkohë që Juventusi i ka cilësuar zërat mbi Buffon si spekulime të pabaza. Megjithatë, te City, lista me lojtarët që synohen të afrohen është edhe më e gjatë. "Rikonstruktimi" pritet të fillojë nga mbrojtja, pasi 22 golat e pësuar në 14 ndeshje të kampionatit e detyrojnë një gjë të tillë. Në krye të preferencave në këtë repart janë John Terry dhe Kolo Toure. Ndërkohë, Lassana Diarra, Roque Santa Cruz, Ashley Cole dhe Wayne Bridge po vëzhgohen intensivisht. Nuk ka asnjë dyshim, se jo të gjithë lojtarët e përfolur do të vendosen nën urdhrat e trajnerit Hughes. Disa prej tyre janë thjesht një konfirmim i synimeve të klubit, për t‘u ngritur në nivelet e "big"-ëve evropianë dhe më e rëndësishmja, për mbështetjen e madhe financiare që ka skuadra. Mjafton të kujtosh se milionat që arabët kanë premtuar se do të investojnë vijnë në një periudhë kur edhe Chelsea e Manchester United po rishikojnë bilancet, në mënyrë që të ulin sa më shumë shpenzimet.
Abonohu te:
Posto komente (Atom)
Nuk ka komente:
Posto një koment