e premte, 28 nëntor 2008
Ranieri i lumtur: Një arritje e madhe!
Trajneri bardhezi është shprehur i kënaqur për vendin e parë, që është gjithnjë dhe më afër.
“Sissoka, Del Piera, Grigero dhe Molinara.” Kështu ka filluar, me erën që bën të fluturojnë si bora, fjalët e komentatorit të ndeshjes, atë të stadiumit “Petrovski”. Bëhet fjalë për një zotëri, i cili ka një mënyrë të vetën për të thirrur emrat e lojtarëve. Siç duket, nuk është mësuar, por asnjërit prej juventinëve nuk i përmendet emri në mënyrë të saktë. Kështu ka filluar, por është mbyllur më mirë, me “Del Piera” të rrethuar nga tifozët (rusë) në radhë njëri mbas tjetrit, kur tempertura ishte nën zero gradë; të gjithë në kërkim të një autografi. Me “trajnerin Raniera”, që largohet nga konferenca për shtyp midis duartrokitjeve të gazetarëve rusë. Tekniku falënderon, rikthen duartrokitjet, vesh xhupin që kishte varur në mur, lidh shallin në qafë dhe premton: “Do të rikthehem këtu me gruan time, Shën Pjetërburgu është qytet i mrekullueshëm”. Gjithçka e vërtetë. Pastaj, mund të shtohet se barazimi i bukur në Rusi e ka çuar Juventusin në kuotën e 11 pikëve, duke e përforcuar vendin e parë në grup, që u ka sjellë arkave të klubit bardhezi edhe 300 000 euro të tjera nga shpërblimet e UEFA-s. Gjithashtu, mungon vetëm një ndeshje, ku Juventusi tashmë e ka siguruar kualifikimin dhe për ta mbyllur në vendin e parë do t’i mjaftonte vetëm një barazim, pas dy javësh, kundër ekipit të Bate Borisov, në Torino.
OBJEKTIVI I PARE - Përshtypjet e nëntorit. Mjafton të pyesësh Ranierin, për të kuptuar nga ai se çfarë ndjesie provohet të qëndrosh para Realit të Madridit, të shmangësh rrezikun “Zenit”, si dhe fakti se është dominuar një grup i hekurt. Por ndoshta për trajnerin kjo nuk ka qenë surprizë. “Jo, nuk prisja që ky gurp të shkonte në këtë mënyrë, por kjo është e bukura e futbollit, të vërtetën ta zbulon gjithmonë fusha. Një arritje e vështirë? Jo, por diçka e madhe, diçka që mund të krahasohet me vendin e tretë të arritur në kampionatin e kaluar. Tani duhet të shkojmë përpara.” Nuk ka mbaruar, trajneri ka akoma diçka për të shtuar. U përgjigjet disa pyetjeve të bëra nga gazetarët rusë dhe nuk e humb rastin për të lavdëruar lojtarët e tij. I kërkojnë të bëjë një krahasim midis Nedvedit dhe Timoshchukut, ai shpjegon: “Timoshchuku është me të vërtetë lojtar i mirë, Paveli ynë është një “Top i Artë” dhe një kampion i mrekullueshëm. Del Piero? Si të mposhtet Reali? Në fillim duhet të kesh në ekip një lojtar të madh, si Aleksi. E pyeta kapitenin, nëse ishte në gjendje për të luajtur edhe të martën. Ai, gjithnjë, ka qenë gati.”
OBJEKTIVI I DYTE - Mirë, Del Piero kundërpërgjigjet në këtë mënyrë: “Ndihesha mirë, ishte e drejtë që të luaja. Donim të rikuperonim menjëherë hapin e gabuar që kemi bërë kundër Interit. Ia kemi arritur, të paktën kështu mendoj unë, ka qenë një ndeshje e bukur. Po, për mua dhe për shokët e mi”. Ndërkohë, numri 10 i bardhezinjve nuk është befasuar nga ky start i Champions Leagues. “Jo, nuk jam i habitur, gjithçka ka shkuar mirë. Kjo arritje ka ardhur, si gjithmonë, për shumë arsye. Duhet të përballesh me situata të caktuara në një moment të veçantë dhe ne e kemi bërë. Kapitull i mbyllur, të shohim përpara për një objektiv tjetër, të shtunën kemi Regginan.”
Abonohu te:
Posto komente (Atom)
Nuk ka komente:
Posto një koment