e martë, 18 nëntor 2008
“Ale-Zlatan, çifti i pamundur”
Alessandro Del Piero dhe Zlatan Ibrahimovic nuk funksiononin si duhet në çift”. Për këtë është i bindur presidenti i Juventusit, Giovanni Cobolli Gigli, i cili katër ditë përpara përballjes së shumëpritur Inter-Juventus ka menduar për të ndezur paksa atmosferën. “Ishin një çift i pamundur – ka deklaruar kreu bardhezi, duke iu referuar Aleksit dhe Zlatanit, të cilët luajtën bashkë nga viti 2004 deri në 2006. - Mendoj se vështirë se mund të luanin bashkë në të njëjtën skuadër. Duke i ndarë, secili ka dhënë më të mirën nga vetja”. Sipas presidenti bardhezi, kalimi i suedezit tek Interi i ka dhuruar Del Pieros një rini të dytë: “Pyes veten se çfarë do të kishte qenë Del Piero me Ibrahimovicin përkrah. Them se s’do të kishte qenë aq i madh sa e tregoi veten edhe në një kampionat si Seria B. E mendoj këtë, kur dua të ngushëllohem për faktin që nuk është më Ibra. Pastaj, kemi edhe Amaurin. E shoh më të lëvizshëm në krahasim me të kaluarën dhe besoj se nga martesa dhe lindja e të birit, është bërë më tepër burrë. Është një kampion me plot kuptimin e fjalës. Në moshën 34- vjeçare ka ende oreks dhe jam i bindur se ëndërron të luajë ndeshje të tjera me nivel të lartë me Kombëtaren. Të tjerë lojtarë në moshën e tij kanë hequr dorë”. Cobolli Gigli është kthyer edhe te divorci me sulmuesin, që aktualisht vesh fanellën zikaltër: “Ishte Ibrahimoviç, që hoqi dorë nga Juve dhe jo e kundërta. Blanc punoi përgjatë një nate të tërë me prokuratorin e tij për ta mbajtur. Sidoqoftë kemi mbetur miq, por deshi vetë ai që të largohej”. Si përfundim, numri një bardhezi përmes një metafore i ka lëshuar sfidën Interit, me të cilin Juve do të përballet të shtunën në mbrëmje. “Jemi gati të përballojmë ‘aeroplanmbajtësen’ zikaltër – thotë Cobolli Gigli. - Kemi municionet e mjaftueshme për të luftuar si të barabartë”.
Abonohu te:
Posto komente (Atom)
Nuk ka komente:
Posto një koment