e diel, 23 nëntor 2008

Derbi i Italisë i takon Interit


Derbi i madh italian, “Derbi d’Italia”, i zhvilluar sonte në Giueseppe Meazza, i ka takuar skuadrës vendase, Inter, e cila pas katër vitesh arriti të shënojë fitore kundër Juventusit në Milano me golin e vetëm të shënuar nga Sulley Muntari .Kampionët e Italisë treguan lojë shumë më të mirë në ndeshje, sidomos në pjesën e parë të takimit edhe pse në gjysmëlojën e parë nuk pati gola. Rreziku kryesor për lojtarët bardhezi ishte sulmuesi Zlatan Ibrahimovic, i cili ishte padyshim lojtari më i mirë i takimit duke i vënë në presion vazhdimisht mbrojtësit e Juves. Edhe pse Ibra nuk arriti të shënonte në këtë ndeshje, ai krijoi shumë raste për vete dhe për bashkëlojtarët e tij. Ndërsa në minutën e 72-të ishte pikërisht, Zlatan Ibrahimovic, ai që pasoi te Sulley Muntari dhe ky i fundit nuk e pati vështirë ta shtinte topin në portën e zbrazët të Manninger, i cili ishte i pozicionuar në skajin tjetër. Sulmuesit e Zonjës së Vjetër, Amauri dhe Del Piero, nuk arritën të depërtonin para mbrojtjes së fuqishme të Interit, pavarësisht disa rasteve të mira që nuk arritën t’i konkretizonin. Në njëzet minutat e fundit, Ranieri inkuadroi edhe Camoranesin, pastaj edhe Iaquintan (77’), por as ata nuk arritën të tregojnë asgjë, përveç disa rasteve që krijoi Camoranesi. Me këtë fitore Inter qëndron në pozitën e parë me gjashtë pikë diferencë nga Juventusi dhe katër pikë më shumë se Milani që gjendet në vendin e dytë me një lojë më pak të zhvilluar.

Të dhëna rreth ndeshjes: Inter-Juventus 1-0 (0-0).
Inter (4-3-1-2): Julio Cesar; Maicon, Materazzi, Samuel, Maxwell; Zanetti, Cambiasso, Muntari (90' Vieira); Stankovic (85' Burdisso); Ibrahimovic, Adriano (83'Cruz). (Ne dispozicione: Toldo, Figo, Quaresma, Crespo). Trajner Jose Mourinho.
Juventus (4-4-2): Manninger; Grygera, Legrottaglie, Chiellini, Molinaro; Marchionni(71' Camoranesi), Tiago (3' Marchisio), Sissoko, Nedved, Amauri (77' Iaquinta), Del Piero. (Ne dispozicione: Chimenti, Mellberg, De Ceglie, Giovinco). Trajner Claudio Ranieri.
Arbiter kryesor: Rizzoli nga Bologna.
Golashenues: 72' Muntari.
Te ndeshkuar me karton te verdhe: Amauri (J), Legrottaglie (J), Materazzi (I), Samuel (I), J. Cesar (I).


Nuk ka komente: