e premte, 21 nëntor 2008

Moratti: Do të jetë një ndeshje e tensionuar

Presidenti zikaltër ndez derbin e Italisë dhe nuk komenton mbi deklaratat e kolegut Cobolli Gigli.

“Për ndeshje, si Inter-Juventus, tensioni do të ekzistojë gjithmonë.” Massimo Moratti është futur që tani në atmosferën e supersfidës. Nesër në mbrëmje, në “San Siro”, kampionët e Italisë në fuqi, të parët në renditje, presin bardhezinjtë në derbin klasik të Italisë. Por mbas “Calciopolit” ndeshja merr nuanca të tjera, që ndikojnë në rritjen e rivalitetit te klubet dhe tifozëritë respektive, pa marrë parasysh se Juventusi i kohëve të fundit duket se është rikthyer në nivele të shkëlqyera dhe mund të konsiderohet me të drejtë, bashkë me Milanin, si skuadra anti Inter në luftën për titullin kampion. Gjithsesi, numri një i Interit përpiqet të mos ia shtojë më shumë tension ndeshjes kundër ekipit të Ranierit. “Eshtë një takim ku luajmë kundër kundërshtarit klasik, dhe si të tillë e ndjejnë lojtarët dhe tifozët,” - ka thënë Moratti. Ditët e kaluara, presidenti bardhezi Giovanni Cobolli Gigli është shprehur i sigurt se ekipi i tij do të fitojë, duke parashikuar edhe rezulatatin 2-1 për Juventusin. Moratti kundërpërgjitet me një batutë: “Jam i lumtur për atë që arrin të flejë i qetë gjatë këtyre ditëve. Të shohim…”. Kundër skuadrës së Ranierit, zikaltrit mund të mbështeten te forma e shkëlqyer e një ish-juventini si Ibrahimovic. Suedezi nuk ka shënuar akoma kundër Juves; të shtunën mund të jetë momenti i duhur. “E rëndësishme është që Ibra të luajë siç ka bërë kundër Palermos, - shprehet presidenti zikaltër. - Eshtë në formë të shkëlqyer. Më pas, nëse shënon apo jep pasimin vendimtar, e rëndësishme është të vazhdojë në këtë rrugë.” Eshtë futur në atmosferën e Juventusit edhe Maxwell. “Kur përballesh me rivalë direkt për titullin ndeshjet janë gjithmonë të veçanta, edhe pse ajo që vlen janë vetëm tri pikët, si në ndeshjet e tjera,” - ka shpjeguar braziliani. “Do të ndeshen dy ekipe që po kalojnë një moment të mirë, por në fushë mund të ndodhë gjithçka, besoj se do të jetë një ndeshje shumë e tensionuar,” - ka përfunduar mbrojtësi i krahut interist.

Nuk ka komente: