Mesfushori portugez ka thënë se gjashtë vite burgim për Luciano Moggin janë shumë pak.
Edhe pse të shtunën mund të mos jetë në fushë, Inter-Juve është ndeshja e tij. Historia e përballjes së Luis Figos me Juventusin ekziston prej 14 vitesh, që nga firma e dyshimtë për dy ekipe (marrëveshje e arritur me klubin bardhezi dhe parakontratë me Parmën, më pas përfundoi te Barcelona) te përballja jo e dyshimtë me Moggin (i cili është parë të futet në dhomën e arbitrit Paparesta, para ndeshjes Inter-Juve të 12 shkurtit 2006, nga portugezi, që më pas është gjobitur dhe skualifikuar.
“Por ato 5 mijë euro, si kam parë më”), duke kaluar përmes sfidave me Realin e Madridit, para kalimit te zikaltërit. Eshtë derbi i tij i vërtetë, “sepse me Juventusin jam ndeshur më shpesh se me Milanin. Por duke parë atë që ka ndodhur vitet e fundit, rivaliteti me bardhezinjtë është më i fortë.”
- Pra ju riktheheni në momentin e duhur?
- Me të vërtetë që nuk kam pasur fat: dy fraktura brenda një viti. Sigurisht, që të rinisesh është e vështirë. Duhet dyfishi i punës, të stërvitesh me dhimbje, është e vështirë të kuptosh se në ç’gjendje ndodhesh. E pyet veten shpesh, nëse ndihesh me të vërtetë mirë.
- Në moshën 36-vjeçare, a nuk ju ka shkuar ndër mend të tërhiqeni?
- Po, ky mendim më ka kalur në mendje, por e kam larguar menjëherë dhe kam menduar se më mirë të dëmtohem në fillim të sezonit sesa në fund. Kështu kam akoma mundësi për ta ndihmuar Interin.
- Para pak kohësh keni thënë se njiheni me Mourinhon prej pothuajse 20 vitesh. Si ju është dukur tani, që e keni trajner?
- Koha të ndihmon të rritesh; e kam njohur kur ka qenë nxënës, por tani mund të thuhet se është mjeshtër. Më ekspert, në veçanti, përsa i përket marrëdhënies me lojtarët, por njeriu nuk ka ndryshuar. Karakteri është karakter.
- Pse Mourinho pëlqehet kaq shumë nga lojtarët e tij?
- Sepse tjetër gjë është imazhi, që mund të shihet nëpërmjet televizorit, dhe tjetër është njohja e personit që vjen nga kontakti i përditshëm. Mourinho është një prej nesh: të mbron, të qëndron afër, komunikon.
- Interi duhet të ketë frikë më shumë Juven apo Milanin?
- Interi duhet të mendojë vetëm për Interin.
- Një përgjigje politikisht korrekte, apo jo?
- Dakord. Atëherë po ju them se Interi është ekipi më i fortë dhe në fushën e tij duhet të fitojë gjithmonë, domethënë edhe të shtunën. Ka të drejtë Mourinho, kur thotë se është më mirë të përballesh me bardhezinjtë që vijnë pas shtatë fitoresh të njëpasnjëshme. Nuk them se do të jenë më të qetë, por, nëse do të kishte qenë e kundërta, do të vinin në “San Siro” më të uritur për fitore. A ju pëlqeu kjo përgjigje?
- Po, por mund të bëni dhe më mirë. Ç’mendim keni për gjashtë vitet burg që janë kërkuar për Moggin?
- Që janë pak, por për këtë vendos gjykata, jo unë. Por tani kjo çështje nuk më intereson më. E shkuara është e mirë vetëm për të shkruar libra.
- Pas sa kohësh Ibra do të jetë i lumtur për “Topin e Artë”? A ka të drejtë Mourinho, kur thotë se një “fushatë” e mirë mund ta ndihmojë?
- Unë e kam fituar pa asnjë lloj fushate dhe, si portugez, ka qenë edhe më e vështirë. Por është e vërtetë se disa gjëra të caktuara ndikojnë, edhe pse ajo që ka me të vërtetë rëndësi është suksesi në një kompeticion të rëndësishëm. Për këtë arsye, do të jemi të gjithë shumë të lumtur ta ndihmojmë Zlatanin.
e enjte, 20 nëntor 2008
Abonohu te:
Posto komente (Atom)
Nuk ka komente:
Posto një koment