e enjte, 20 nëntor 2008

Amauri: Interi është skuadër mesatare

Sulmuesi i Juventusit Carvalho de Oliveira Amauri beson se skuadra e tij ka potencial për ta fituar edhe Scudetton edhe Ligën e Kampionëve, ndërsa thotë se rezultati kundër Interit nuk do ta përcaktojë Kampionatin. Bardhezinjtë udhëtojnë në Milano për t’i fituar tre pikët në Derbin e Italisë i cili do të zhvillohet të shtunën mbrëma në Giuseppe Meazza. “Juventus dhe Inter janë dy skuadra të mëdha, dhe ne po kalojmë në një moment shumë të mirë si ekip. Ata po ashtu po luajnë mirë, pasi kanë arritur ta mposhtin Palermon në udhëtim. Shpresojmë se shtatë fitoret radhazi dhe fitorja në Bernabeu do të na japin shtytje që të dalim fitues”. “Aktualisht ne po luajmë më mirë se ata, pasi që në ndeshjen e të shtunës kundër Palermos, Interi ishte një skuadër mesatare”. I pyetur nëse do të dëshironte Scudetton apo Ligën e Kampionëve, Amauri është përgjigjur: “Do të ishte mirë t’i fitonim të dyja”. Zonja e Vjetër është e pozicionuar në vendin e tretë me tre pikë diferencë nga lideri Inter, ndërsa me një fitore në derbin e madh do të barazoheshin me kampionët aktualë.

Nuk ka komente: