Trajneri portugez shuan polemikat me Ranierin, por paralajmëron: Jemi ekipi më i fortë. Ndeshja vlen tri pikë.
Inter-Juventus “një ndeshje normale”, sepse “luhet si gjithmonë për tri pikët”. Edhe një herë shkon kundër rrymës Jose Mourinho. Tekniku i Interit duket se nuk e ndjen tensionin, në prag të ndeshjes së madhe, e vlefshme për javën e 13-të të kampionatit italian, kundër ekipit të Ranierit. Pikërisht me trajnerin bardhezi, portugezi ka qenë protagonist në diskutime dhe polemika. Dyshja është takuar të hënën e kaluar në Koverçano, me rastin e dhënies së çmimit “Stoli i Artë”. RANIERI - Në fillim, Mourinho duket sikur u bën bisht pyetjeve: “Marrdhënia ime me Ranierin? Këto janë gjëra që na përkasin ne, jo juve. Nuk më pëlqen të bëj skena, kemi folur në Koverçiano pa prezencën e shtypit,” - ka thënë Mourinho. Më pas, vjen premtimi: “Do ta pres në “San Siro”, si trajnerët e tjerë. Jam unë që luaj në shtëpi, si dhe jam unë ai që duhet të tregohet i edukuar. Do ta pres në tunel, për t’i dhënë dorën”.
“CALCIOPOLI” - Derbi i Italisë po ngarkohet me shumë tension. “Duhet ta qetësojmë gjëndjen, nuk duhet të mendojmë për këtë sfidë, si ndeshja e vitit, - shpjegon Mourinho, që do të evitojë çdo temë që i referohet “Calciopolit”. - Nuk e njoh në thellësi këtë çështje. Madje, nuk mbaj mend nëse kam qenë në Portugali apo në Angli, kur kjo ka ndodhur.”
COBOLLI - Ditët e kaluara, presidenti i bardhezinjve, Cobolli Gigli, ka parashikuar një fitore 2-1 për skuadrën e tij. Ndërkohë, numri një i zikaltërve, Massimo Moratti, replikuar, duke thënë: “Do të shohim”. Ndërsa Mourinho thumbon. “Nuk e njoh mentalitetin, nuk i njoh personat dhe nuk më intereson, - ka thënë ai, në lidhje me ambientin juventin. - Herën e fundit, kur një president ka deklaruar se do të fitonte, ka ndodhur para një ndeshjeje midis Portos dhe Benficas, por ka humbur. Për mua, skuadra ime është më e mira dhe lojtarët e mi janë më të fortët.”
ADRIANO - Interi, në pritje të Juventusit, duhet të merret edhe me çështjen “Adriano”. Sulmuesi brazilian, pasi është lënë jashtë në katër ndeshjet e fundit, ka kërkuar qartësi nga klubi. “Jam dakord me Adrianon. Një lojtar kërkon gjithmonë të luajë. Nëse një futbollist nuk luan, duhet të mendojë për të ndryshuar, - ka thënë “I Veçanti”. - Adriano ka thënë një gjë shumë normale. Nëse nuk i jepet mundësia të luajë, çfarë bën këtu? Ndoshta mund të jetë ndonjë alternativë për trajnerin, por këtu situata është e ndryshme. Nëse ai bën atë që bëjnë edhe shokët e ekipit, atëherë është lojtar si gjithë të tjerët. Adriano duhet të arrijë në të njëjtin nivel me të tjerët.” Kundër Juves do të jetë i pranishëm dhe braziliani, ka lënë të kuptohet Mourinho. “Do të grumbullohen të gjithë lojtarët që janë të disponueshëm.”
e diel, 23 nëntor 2008
Abonohu te:
Posto komente (Atom)
Nuk ka komente:
Posto një koment