e martë, 18 nëntor 2008
Zlatani, pushim ekstra para Juventusit
Mourinho organizon gjithçka Ndodhet dora e Mourinhos mbrapa vendimit për ta hequr nga lista e të grumbulluarve emrin e Zlatan Ibrahimovic, me rastin e miqësores që Suedia do të zhvillojë të mërkurën kundër Holandës. Tekniku portugez ka folur me sulmuesin dhe i ka bërë të kuptojë se sa i rëndësishëm është fakti që ai të jetë në maksimumin e tij për ndeshjen e madhe kundër Juventusit të shtunën. Nga ana e tij, Ibra e ka bindur trajnerin Lagerback dhe tani mund të gëzojë katër ditë pushimi të plota, dhuratë e Mou-së. Gjithçka, ka nisur nga Mourinho, i cili për supersfidën e të shtunës në brëmje kundër juventinëve do të ketë në dispozicion një Ibrahimovic, si ai që është parë në Palermo. Do të ishte me shumë rrezik largimi i tij me kombëtaren, dhe jo vetëm për ndonjë dëmtim të mundshëm. Në atë rast, trajneri zikaltër do të kishte pasur mundësinë ta stërviste vetëm duke filluar nga dita e premte. Ibra do të kthehet në stërvitje të enjten, por pas katër ditëve pushim, do të jetë i freskët në krahasim me lojtarët e tjerë që do të luajnë me kombëtaret respektive. Ibra është nisur të dielën në mbrëmje për në Stokholm, ku do të marrë për të tretën herë çmimin “Topi i Artë”, si lojtari më i mirë suedez i vitit. Do të qëndrojë në shtëpinë e tij në Malmoe deri të mërkurën. Mënyra më e mirë për t’u rikarikuar, pas 20 ndeshjesh të luajtura 90 minuta, pa asnjë sekondë pushim. Mou ka menduar për gjithçka, vetëm për ta pasur fenomenin e tij në gjendje perfekt. Ai thërret, Ibra përgjigjet. Prova e radhës, mes të dyve marrëdhënia është e shkëlqyer.
Abonohu te:
Posto komente (Atom)
Nuk ka komente:
Posto një koment