e premte, 7 nëntor 2008
Aleks s’kënaqet, tani do edhe Champions-in
Edhe pse ka kaluar një ditë (sot, dy) nga suksesi në “Santiago Bernabeu”, Alessandro Del Piero është ende i emocionuar nga paraqitja personale dhe e skuadrës së tij ndaj Realit të Madridit, ku “Pinturcchio” vulos suksesin me dy gola të tij, triumf i cili i mungonte prej 46 vjetësh bardhezinjve. Fitorja në Ligën e Kampioneve kishte një shijë të dyfishtë për kapitenin e “Zonjës së Vjetër”, pasi përveçse për Juventusin është thyer një tabu që zgjaste prej shumë vitesh, Alessandro Del Piero bëhet i pari futbollist italian i të gjitha kohërave që shënon një dygolësh në “Santiago Bernabeu”. “Ndihem më mirë se kurrë, ajo që ndodhi në Madrid ishte e jashtëzakonshme, - shprehet Del Piero në intervistën e djeshme për Juventus Channel. – Ndihem shumë ndryshe nga Aleksi i disa viteve më parë. Gjithmonë kam pasur synime e ëndrra dhe tashmë dua të bëj të pamundurën për t’i realizuar ato. Ndaj Realit kam realizuar disa prej objektivave të mi personal, por tashmë jam në ndjekje të të tjerëve. Gjithmonë e kam ëndërruar atë çfarë po zhvilloj gjatë kohëve të fundit dhe do bëj të pamundurën për të mos u ndalur kaq shpejt, - vazhdon kapiteni i Juventusit. – Në Madrid kemi hedhur një hap shumë të rëndësishëm, i cili na dhuroi kualifikimin matematik për në turin e ardhshëm të Ligës së Kampioneve. Tani duam ta shijojmë këtë moment pozitiv, por me ndërgjegjen se paraqitje si ajo në “Bernabeu” t’i përsëritim edhe në sfidat e ardhshme në Kampionat, por edhe në Champions”.Rekordet – Rekordet nuk kanë të mbaruar për Aleksin. 248 gola me fanellën bardhezi, lojtari i parë që arrin të shënojë një dygolësh në “Santiago Bernabeu”, numrin më të madh të ndeshjeve me fanellën e Juventusit e shumë të tjerë. Gjithsesi, Del Piero kërkon të qëndrojë me këmbë në tokë, edhe pse nuk fsheh faktin se objektivi më i madh për karrierën e tij është rifitimi i Ligës së Kampioneve: “Si skuadër kemi caktuar disa objektiva, por sot për sot, ai më i rëndësishmi është Championsi, një kompeticion që dhuron emocione shumë të veçanta në krahasim me të tjerët. Gjithsesi, duhet të vazhdojmë në këtë linjë dhe të shohim se çfarë do të ndodhë në të ardhmen”. Sekreti – Të dielën, Del Piero do të festojë 34-vjetorin, por me kalimin e viteve, Aleksi po përmirësohet gjithmonë e më shumë: “Mundohem të perfeksionohem gjithmonë e më shumë. Autokritika më bën shumë mirë, në të mirë a në të keq, më jep gjithmonë një ekuilibër në karrierën time. Goditjet e dënimit? Për këtë gjë duhet të falënderoj prindërit e mi, të cilët më kanë dhuruar këto cilësi. Datëlindja në fushë ndaj Chievos? Si dhuratë kërkoj fitoren dhe një gol”, përfundon kapiteni i Juventusit.
Abonohu te:
Posto komente (Atom)
Nuk ka komente:
Posto një koment