e shtunë, 8 nëntor 2008

Di Carlo rikthen Bogdanin titullar

Te skuadra e Chievos fryn një erë e re për Erjon Bogdanin. Pasi ka vuajtur deri tani për shkak të aktivizimit të pakët të tij nga ana e trajnerit Iachini, i cili nuk i jepte hapësirë në formacionin e parë, tashmë ai shikon shpresa për t’u rikthyer sërish si një titullar i padiskutueshëm. Një gjë e tillë është bërë e mundur vetëm pas largimit të Iachinit pas humbjes 3-0 në Palermo. Vendin e tij në stolin e Chievos tashmë e ka zënë trajneri i ri, Domenico Di Carlo. Ndryshimet në ekip ishin të domosdoshme dhe Di Carlo e ka filluar me Bogdanin. Sikurse ka bërë të ditur dje nga mediat italiane, sulmuesi shqiptar është parashikuar si pjesë e 11-shes, që do të zbresë në fushë në ndeshjen e kësaj jave të Serisë A, ku Chievo do të presë në shtëpinë e saj Juventusin. Vendimtare për përzgjedhjen e lojtarëve që do të luajnë nga minuta e parë kundër bardhezinjve, duket se ka rezultuar ndeshja miqësore kundër ekipit të të rinjve, ku Bogdani ka shënuar dy nga golat e fitores.

Nuk ka komente: