e diel, 9 nëntor 2008

Juventusi, tri “big”-ë për mesfushën

Mbase do ta zgjasë kontratën e tij edhe për një tjetër sezon, por gjithsesi mbetet fakti se Pavel Nedved nuk është plotësisht një mesfushor krahu. Padyshim që kur gëzon një formë të plotë, mesfushori çek është nga lojtarët më të fortë në botë, por përveç tij edhe Camoranesi në të ardhmen kërkon një zëvendësues e sigurisht që Giovinco e Marchionni, për momentin, mbeten vetëm alternativa të Nedvedit dhe italoargjentinasit. Për këtë arsye, tek Juventusi janë vënë në kërkim të një kampioni që do të blindonte krahët e mesfushës. Aktualisht, Alessio Secco e Jean-Claude Blank po punojnë mbi tre emra të rëndësishëm, spanjolli i Valencias, Joaquin, gjermani i Bajernit, Schweinsteiger dhe kroati i Schalkes, Rakitic. I preferuari i trajnerit Claudio Ranieri, tashmë nuk është mënjë surprizë. Ky është biondi i Mynihut, Bastian Schweinsteiger, i cili nga 30 gushti i ardhshëm mund të mbërrijë në Torino me parametër zero, pasi ai dhe drejtuesit e Bayernit nuk kanë gjetur ende marrëveshjen për zgjatjen e kontratës. Menaxheri i lojtarit dhe menaxheri i përgjithshëm i kampionëve të Gjermanisë, Uli Hoeness, kanë pranuar hapur interesimin e klubit bardhezi për mesfushorin, por për të disatën herë u kanë mbyllur derën atyre. Ndërkohë, Ivan Rakitic, 20-vjeçar, mund të jetë pista më e lehtë për t’u realizuar me sukses. Schalke e vlerëson 15-18 milionë euro lojtarin, shifër kjo që konsiderohet e lartë nga bardhezinjtë. Në fund, Joaquin. 27-vjeçari spanjoll duket i mërzitur nga aventura e tij tek Valencia dhe pret të ndryshojë ambient nga sezoni i ardhshëm. Megjithatë, edhe alternativa e merkatos së janarit nuk përjashtohet nga drejtuesit e Valencias, e sidomos nga vetë lojtari. Vlera e kartonit të tij ka rënë ndjeshëm nga sezonet e kaluara dhe “Zonja e Vjetër” mund ta veshë bardhezi lojtarin, nëse është e gatshme të shpenzojë 12 milionë eurove, shifër e kënaqshme kjo, nëse kujtojmë që presidenti Giovanni Cobolli Gigli ka premtuar 30 milionë euro për merkaton e janarit. Gjithsesi, vetëm çelja zyrtare e saj mund të zbardhë më konkretisht këto tratativa.

Nuk ka komente: