e diel, 9 nëntor 2008

Zola “kurorëzon” Del Pieron

Alessandro Del Piero është një lojtar i jashtëzakonshëm, përveçse një djalë që rrezaton optimizëm për të gjithë skuadrën e tij”. Ai që bën një vlerësim të tillë është trajneri aktual i skuadrës angleze të West Ham, Goanfranco Zola. Ish-fantazisti i skuadrës së Cagliarit dhe Chelseat dhe përfaqësueses italiane anulon për një moment impenjimet e tij profesionale dhe në një intervistë për një nga mediat italiane, bën një analizë të shkurtër mbi faktet e fundit të futbollit botëror. Sigurisht, që kryefjala e intervistës së tij është doppietta e shkëlqyer e shënuar nga kapiteni legjendar i “Zonjës së Vjetër”, Aleks Del Piero, në ndeshjen e së mërkurës mbrëma në “Santiago Bernabeu” kundër Realit të Madridit. “Realisht jam shumë i lumtur për Aleksin, edhe pse për mendimin tim, ai nuk ka aspak nevojë për paraqitje të tilla si ajo kundër Realit, për t’u kurorëzuar si një ndër lojtarët më të mirë në rolin e tij. Alessandro ka treguar gjithmonë forcë karakteri, mbi të gjitha në momentet e vështira të karrierës, të cilave gjithmonë u është kundërpërgjigjur në mënyrën më pozitive të mundshme. Prej dy vjetësh e këtej, juventini po luan në nivele shumë të larta. Nuk habitem aspak, sepse është normale që me kalimin e të 30-ve nis një tjetër fazë, në të cilën duhet të adaptohesh me formën fizike. Aleks gëzon cilësi të jashtëzakonshme fizike dhe e meriton plotësisht këtë vëmendje. Jam i sigurt se do të vazhdojë të na mahnitë edhe në të ardhmen”, thotë ish-futbollisti italian, Gianfranco Zola.

Nuk ka komente: