e shtunë, 8 nëntor 2008

Ranieri: “Bernabeu” gjithmonë më sjell fat

“Kam fituar në këtë stadium kur drejtoja Valencian dhe Atleticon e Madridit”.

Nga Torino në Madrid, Reali hap dhe mbyll periudhën e rilindjes së Juventusit: pesë fitore radhazi për Claudio Ranierin, i cili arrin të triumfojë edhe aty ku Lippi ka dështuar, në “Bernabeu”. “Në këtë stadium kam fituar edhe më parë kur drejtoja Valencian dhe Atleticon e Madridit, kështu që për mua nuk është një rastësi”. Lidhur me futbollin mbrojtës që skuadra e tij zhvilloi, Ranieri tha: “Ne në mbrojtje? Por rezultati përfundoi 2-0. Unë i njoh shumë mirë spanjollët dhe e di që janë të gatshëm ta thonë një gjë të tillë. Kemi vuajtur, por në mbrojtje u treguam të shkëlqyer. Të tjerët mund të thonë se luajtëm prapa, por ne i shënuam dy gola”. Trajneri i Juves flet edhe për Del Pieron: “Lippi e njeh më mirë se unë, por unë e di që ai dëshiron të provojë lojtarë të rinj në miqësore. Megjithatë, nëse më pyesni për grumbullimin, atëherë përgjigjeja ime është po. Aleks është një kapiten, sakrifikon, punon për skuadrën dhe sigurisht që magjitë e tij janë kudo”. Në fund, Ranieri kërkoi përqëndrim maksimal nga skuadra e tij për ndeshjet e kampionatit: “Kemi arritur objektivin e parë, por duhet të bëjmë të pamundurën të ruajmë vendin e parë në grup. Sigurisht që vëmendja më e madhe duhet të jenë në ndeshjen e kampionatit kundër Chievos”.

Nuk ka komente: