e premte, 7 nëntor 2008

Sekreti i Del Pieros: Entuziazmi i një 20-vjeçari

Kapiteni bardhezi falënderon tifozët në "Santiago Barnabeu", për duartrokitjet gjatë daljes nga fusha.

Trajneri personal i Alessandro Del Pieros, Giovanni Bonochore, ka zbuluar sekretin për rilindjen e kapitenit. Sulmuesi gjunjëzoi i vetëm Realin e Madridit, duke treguar klas dhe teknikë të lartë. Bardhezinjtë nuk fitonin në "Santiago Bernabeu" që prej vitit 1962, e tashmë Del Piero po shkruan një histori të re. Në fakt, askush nuk arrin t‘i shpjegojë "magjitë" e njëpasnjëshme të lojtarit, por trajneri i tij personal beson se e ka përgjigjen. "Mendoj se suksesi ka ardhur me ndihmën e dy personave, që në të kaluarën ishin pjesë e stafit personal të Del Pieros", tha Bonokore për "Tuttosport". "Alessandro është një njeri i jashtëzakonshëm dhe i qetë. Ai punon shumë dhe përkushtohet në stërvitje si askush tjetër. Por, përveç kësaj, Del Piero ka entuziazmin e një djaloshi 20-vjeçar, edhe pse po i afrohet 34-vjetorit të lindjes. Mendoj se mënyra më e mirë për të qenë në formë është të vraposh. Për të dhënë më të mirën, të gjithë kanë nevojë për një program stërvitor personal. Kjo është mënyra e vetme për të arritur rezultate më të larta dhe vlen si për njerëzit normalë, ashtu edhe për futbollistët e mëdhenj". Ndërkohë, kapiteni bardhezi falënderoi tifozët spanjollë, që i dhuruan "një eksperiencë të paharrueshme", duke e duartrokitur në fund të ndeshjes. Ai tha: "Dy gola për një fitore kaq të rëndësishme më gëzojnë, por momenti më fantastik ishte kur dola nga loja dhe tifozët në stadium më duartrokitën".

Nuk ka komente: