e hënë, 3 nëntor 2008

Tiago: Nëse vazhdon kështu do të kaloj te Benfica

Mesfushori i Juventusit Tiago Mendes ka kërcënuar se nëse nuk luan rregullisht ai do të largohet në janar. Tiago ka qenë transferi më i dështuar i Juventusit vitete e fundit. Që nga momenti i kalimit te Zonja e Vjetër në vitin 2007 ai nuk ka arritur të sigurojë vend në formacionin e Ranierit për shkak të paraqitjeve të dobëta të cilat i ka shfaqur. Pas spekulimeve të shumta për një largim të mundshëm në afatin kalimtar të verës, Tiago vendosi të vazhdojë ta bart fanellën bardhezi, mirëpo tashmë siç duket ka ardhur fundi. “Unë nuk luaj. Në fakt unë luaj shumë pak, dhe kjo është arsyeja që po mendoj të kthehem në vendin tim. Nëse gjërat nuk ndryshojnë, unë do të mundohem të gjej zgjidhje më të mirë për mua”. “Portugalia është vendi im dhe është shumë e kuptueshme që do të kthehesha nëse më jepet një mundësi e mirë. Disa skuadra kanë shprehur interesim për shërbimet e mia, mirëpo nëse kthehem në Portugali do të luaj vetëm për skuadrën e Benficas”, është shprehur Tiago.

Nuk ka komente: