e hënë, 3 nëntor 2008

Marchionni: Mendoj vetëm tek sfida me Realin

Mesfushori i Juventusit, Marco Marchionni është i gatshëm për sfidën e së mërkurës ndaj Real Madridit në "Santiago Bernabeu", në kuadër të Ligës së Kampionëve dhe besoj se skuadra e tij do t'ia arrijë qëllimit të marrë një rezultat pozitiv. Ish-futbollisti i Parmës pati një paraqitje të shkëlqyeshme në fitoren e së shtunës ndaj Romës, 2:0, duke shënuar golin e dytë që e vulosi fitoren. Ai tashmë shikon përpara drejt sfidës me kampionët në fuqi të Spanjës. "Synimi im është që të kontribuoj për suksesin e Juventusit. Për momentin jam duke menduar vetëm tek sfida në 'Santiago Bernabeu', stadium ky në të cilin gjithmonë kam ëndërruar të luaj", ka theksuar Marchionni për "La Stampa". "Asnjëherë nuk kam dyshuar mbi aftësitë e mia dhe asnjëherë nuk kam menduar ta braktis Juventusin. Familja ime më ka përkrahur vazhdimisht për të ecur përpara. Vijë pas një lëndimi të gjatë, por tash jam i gatshëm për të treguar se cili është Marchionni i vërtetë", është shprehur mesfushori bardhezi. Juventusi momentalisht kryeson grupin H dhe në rast fitoreje kundër Realit, do ta siguronin pjesëmarrjen në mesin e 16 skuadrave më të mira të Evropës.

Nuk ka komente: