e mërkurë, 8 tetor 2008

Lippi: S’është Ranieri arsyeja e krizës.

Ditën e djeshme Marcello Lippi ka hapur zyrtarisht përgatitjet e Kombëtares së kampionëve të botës në fuqi, në prag të dy sfidave kundër Bullgarisë dhe Malit të Zi. Në konferencën për shtyp, tekniku i stolit italian ka sqaruar fillimisht përjashtimin e dy lojtarëve të grumbulluar për ndeshjet e para si kapitenin e Juventusit Alessandro Del Piero dhe mbrojtësin e Wolfsburgut, Andrea Barzagli: “Me Alessandron kam biseduar gjatë në telefon dhe i kam sqaruar arsyet e mosgrumbullimit të tij për dy sfidat e ardhshme. Ai është një person i drejtpërdrejtë dhe gëzon respektin maksimal nga ana ime, prandaj edhe unë kërkoj të jem gjithnjë transparent me të, ashtu si me të gjithë lojtarët e tjerë. Për dy sfidat e radhës dëshiroja të shihja në aksion disa lojtarë të tjerë, por kjo nuk do të thotë se Aleksi ka mbyllur hesapet me Kombëtaren. I kam transmetuar atij që të vazhdojë me të njëjtin ritëm që po paraqitet në ndeshjen e fundit, pasi në skuadrën time ka vend për të gjithë. Ashtu si me Aleksin, kam biseduar edhe Barzaglin. Ato të cilat ju deklaroj juve, ia kam theksuar edhe atij. Dua të shoh mbrojtësin e dy viteve me parë, plot grinte dhe entuziazëm, pasi unë besoj verbërisht tek Andrea”, tregon Marcello Lippi. Risitë në skuadër – Të rejat e fundit nga kampi i të kaltërve nuk janë të gjitha pozitive, pasi për dy sfidat e radhës, italianët do të zbresin në fushë pa Gigi Buffon e Mauro German Camoranesin, gjithsesi nga ana tjetër, janë plot katër debutues të thirrur në grumbullim nga Lippi, i cili nuk nguron të arsyetojë zgjedhjet e tij për cilindo: “Santacroce gëzon një fizik të shkëlqyer dhe një shpejtësi në veprim që më mahnit. Në mbrojtje mund të mbulojë disa pozicione. Besoj se me paraqitjet e tij e ka merituar një fanellë të Kombëtares. Maggio, ndonëse te Napoli aktivizohet në një rol që nuk ekziston në përfaqësuesen time, duke parë dëmtimin e Camoranesit m’u duk zgjedhja më e sigurt për të zëvendësuar atë. Pepe është një golashënues i lindur, por në të njëjtën kohë është shumë aktiv në mesfushë, duke mbyllur hapësirat. Një lojtar modern dhe nuk e fsheh faktin se më pëlqenshumë. Rossi është një lojtar shumë i rëndësishëm dhe në sulm mund t’i mbulojë të gjitha pozicionet e mundshme. Me kalimin e viteve është konfirmuar dhe është pjekur shumë. Besoj se ka ardhur koha të luajë shanset e tij”, vazhdon drejtuesi i stolit “axurr”. Mesazhi për Ranierin – Përveç dy sfidave të radhës, Marcello Lippi është i mirinformuar edhe mbi gjendjen që po përjeton aktualisht ish-skuadra e tij, Juventusi. Nostalgjia për këtë shoqëri është e madhe dhe Lippi nuk nguron të mbrojë teknikun aktual të Juventusit, Claudio Ranieri: “Juvja do ta kalojë shpejt këtë situatë. Problemi kryesor? Nuk mendoj se kriza ka ardhur si rrjedhojë e ambientimit të vështirë ndërmjet veteranëve të skuadrës dhe talenteve të rinj, aq më pak nga drejtimi i Ranierit, por besoj se gjithë këto dëmtime brenda pak ditëve kanë bërë punën e tyre”, përfundon tekniku italian.

Nuk ka komente: