e diel, 12 tetor 2008

Buffoni dhe dëmtimi: Budallai jam unë!

Portieri bardhezi tregon se nuk duhet të kishte luajtur kundër Palermos Ecja e çalë, buzëqeshja për të fshehur zemërimin, përqafimi me shokun e tij, gjithashtu i dëmtuar, Mauro Camoranesi me fizioterapistin e besuar Aldo Esposito. Gigi Buffon ka vendosur të qëndrojë në Koverçano, ku thithet ajër pozitiv, ndryshe nga ç’po ndodh tani te Juventusi. Portieri numër një i botës flet gjithmonë si lider, pa u shqetësuar për ta fshehur të vërtetën, atë mbi dëmtimin e pësuar në këmbën e djathtë, i ndryshëm nga ai i 21 dhjetorit në Cagliari, sipas versionit të dhënë nga klubi. “Ka qenë një përkeqësim, por budallai jam unë.” Këtu përdorim një eufemizëm, sespe Gigi kur e shan veten përdor terma që nuk do t’i përsëriste para Tomasit të vogël. Më pas, shpjegon: “Po, kam gabuar, sepse kundër Palermos nuk duhej të kisha luajtur, por zemërgjerësia nuk më la. Doja ta ndihmoja ekipin në një moment delikat, ndërsa tani do të jem spektator për dy muaj. Por duhet të jem i kujdesshëm pasi, duke parë përsëritjen e dëmtimit duhet të evitoj çdo rrezik. Më vjen keq, sespe do të mungoj në disa ndeshje të kampionatin; atë kundër Realit po e prisja me padurim, se do të jetë shumë e rëndësishme për ne”. Ka pak sarkazëm te fjalët e Bufonit, kur shpjegon përsëritjen e dëmtimit në muskujt e kofshës së djathtë, pësuar të dielën kundër Palermos: “Kisha filluar të ndjeja dhimbje që në pjesën e parë. Gjatë gjithë pjesës së dytë, kur e shqelmoja topin, kam shtrënguar dhëmbët, pasi doja të qëndroja në fushë”. Dhe shqelmime Gigi ka bërë shumë, duke parë gjithë ato topa që shokët e ekipit kanë çuar drejt tij: “E shikoni? Më duhet të bëj edhe rolin e organizatorit, por, për momentin, kjo është gjendja te Juventusi”. Tani, për dy muaj do të pushojë: “Do të kaloj më shumë kohë me djalin tim”.

Nuk ka komente: