e martë, 7 tetor 2008

“Situata më e vështirë si president i klubit”

Presidenti i Juventusit, Giovanni Cobolli Gigli, ka pranuar se situata që po kalon aktualisht ekipi i tij nuk është aspak pozitive. E megjithatë, ai shpreh gatishmërinë dhe besimin e duhur te drejtuesit aktualë dhe lojtarët. “Më duhet ta pranoj se situata që po kalojmë tani është më e vështira që nga momenti kur unë jam vënë në krye të klubit. Në gjashtë ndeshjet e para të kampionatit kemi arritur të grumbullojmë vetëm nëntë pikë, të cilat janë shumë pak, duke pasur parasysh forcën dhe synimet tona për këtë sezon. Gjithsesi, është ende herët. Kemi ende mjaft rrugë për të bërë dhe ajo që na ndihmon, është fakti se kemi dhjetë ditë pushim, për të gjetur rrugën e duhur. Të gjithë duhet të gjejnë gabimet dhe të punojnë për t’i evituar në ndeshjen e ardhshme. Ne kemi lojtarë profesionistë dhe cilësorë, të cilët do e tregojnë forcën e tyre të vërtetë”, tha presidenti i bardhezinjve, Cobolli Gigli. Në fakt, në ndeshjen e kaluar, ata u mundën në mënyrë tepër zhgënjyese nga Palermoja. Megjithëkëtë, ajo që ka më tepër rëndësi për momentin është se presidenti juventin vazhdon të ketë besim të plotë te kreu i pankinës, Claudio Ranieri. “Do të ishte me të vërtetë një vendim i nxituar dhe i gabuar, nëse do të ndërroja trajner. Ranieri është shumë i zoti dhe me eksperiencë, prandaj kam besim se do të gjejë recetën e duhur për të kthyer skuadrën te fitoret”, deklaroi Cobolli Gigli, duke konfirmuar sërish Ranierin në krye të pankinës bardhezi.

Nuk ka komente: