e shtunë, 4 tetor 2008

Del Piero e Ranieri, "shkëndija" në stërvitje

Forma e dobët e sulmuesit në ndeshjet e fundit solli një debat të ashpër me trajnerin. Kapiteni i Juventusit, Alessandro Del Piero, i ka prishur përfundimisht marrëdhëniet me trajnerin Claudio Ranieri. Sipas të përditshmes torineze "Tuttosport", ata ishin protagonistë të një debati të ashpër gjatë stërvitjes së të enjtes. Tensioni konfirmon momentin e keq të bardhezinjve: ata nuk fitojnë prej tre ndeshjeve radhazi, dy në Serinë A dhe një në Ligën e Kampioneve. Gazeta pretendon se gjatë seancës së pasdites, Ranieri grumbulloi skuadrën për t‘i folur rreth problemeve që ai kishte vërejtur dhe se çfarë nuk po funksionon. Megjithatë, vërejtjet nuk u pritën mirë nga Del Piero, i cili u përgjigj: "Nuk jam unë problemi". Pas kësaj shkëndije, kapiteni dhe trajneri diskutuan për afro dhjetë minuta, por kjo nuk shërbeu për të sheshuar kontradiktat. Në fund, Del Piero u pa të largohej dukshëm i mërzitur nga fusha stërvitore. Sipas raportimeve pranë "Zonjës së Vjetër", Ranieri është i pakënaqur nga forma e Del Pieros në ndeshjet e fundit, ku përveç shkëlqimit sulmuesit i ka munguar edhe goli. Rrjeta e tij e vetme në këtë sezon është regjistruar në takimin e parë të Ligës së Kampioneve, që bardhezinjtë fituan 1-0 me Zenitin. Sipas të gjitha gjasave, "Pinturicchio" nuk do të jetë pjesë e skuadrës për transfertën me Palermon. Në këtë takim nuk do të luajë as çeku Pavel Nedved.

Nuk ka komente: