e shtunë, 4 tetor 2008

Juventusi, mbrojtje me “paterica”

Ekziston një rrotacion të cilin Claudio Ranieri nuk ka dëshirë ta përdorë asnjëherë... Eshtë ai i detyruari dhe sidomos në repartin e mbrojtjes, për shkak të dëmtimeve. Nga fillimi i sezonit deri më sot, nuk ka pasur paqe për repartin e prapavijës së Juventusit dhe ndaj Palermos, përpara Buffonit, do të ketë sërish ndryshime. Trajneri bardhez ka shumë pak alternativa dhe është i detyruar t’i besojë dyshes Knezevic-Mellberg, duke parë se si Legrottaglie, ashtu edhe Chiellini kanë probleme fizike. Pra, kurioziteti është i lidhur me faktin se në pesë javë të zhvilluara deri tani, mbrojtja e “Zonjës” ka pësuar një “metamorfozë”. Përveç Grygeras, i impenjuar në të gjitha sfidat e kampionatit dhe Champions, përveç se në ndeshjen me Cagliarin, siguritë janë të vogla. Një nga këto është Buffon, por numrit “1” iu desh të tërhiqej për një problem muskulor. Në të majtë Molinaro dhe De Ceglie janë alternuar, por asnjëri nuk është ende në formën më të mirë. Por, surpriza e vërtetë është dyshja e qendrës. Dy titullarët, Legrottaglie dhe Chiellini kanë luajtur bashkë vetëm dy ndeshje nga shtatë të mundshme. Chiellini, pas dëmtimit që pësoi në fillim të sezonit, u kthye me Udinesen, por është ende në konvaleshencë dhe me Baten ka pësuar një tjetër dëmtim, edhe pse të vogël. Nuk do të jetë ndaj Palermos, ashtu si Legrottaglie, që do të mungojë 20 ditë. Pra, duket se dyshja e qendrës do të jetë Mellberg-Knezevic.

Nuk ka komente: