e shtunë, 4 tetor 2008

Del Piero-Nedved në stol kundër Palermos

Ranieri vendos të ndryshojë kundër Palermos, pas zhgënjimit në Champions.
Pas tri barazimeve të njëpasnjëshme, Palermo paraqitet që tani si një test vendimtar për Ranierin dhe ekipin e tij. Klubi dhe tifozët pretendojnë një fitore që do të shmangte shpalljen e krizës, të zgjatur nga një cikël zhgënjyes ndeshjesh. I pamendueshëm një gabim tjetër, edhe pse ekipi rrezikon të paraqitet në këtë test me probleme në mbrojtje. Tifozët janë të zemëruar, sidomos me trajnerin. Drejtuesit janë të kënaqur me rezultatet pozitive, që kanë ardhur si pasojë e zgjedhjeve të trajnerit. Mbi të gjitha, formacioni i pamenduar mirë në ndeshjen e Minskut, si të ishte nënvlerësuar kundërshtari. Në plan të dytë vijnë ndërrimet, si ai i vonuar për Legrottaglien, që ka sjellë edhe golin, deri tek ato të Del Pieros dhe Nedved, që nuk ishin në një natë të mirë. Por drejtuesit nuk mund t’ia lejojnë vetes ta përkeqësojnë situatën dhe arsyetojnë. Falë gabimeve të kundërshtarëve, nuk është humbur asgjë, si në kampionat dhe në Champions. Bilancet bëhen në fund të sezonit ose, të paktën kur objektivat janë humbur, por jemi akoma larg nga kjo. Ky është momenti për të ndryshuar drejtim dhe klubi pret të shohë kurajë nga ana e Ranierit, edhe pse mund t’i duhet të bëjë zgjedhje të dhimbshme. Janë zgjedhje, mbi të cilat tekniku ka pak kohë që po mediton, por për të cilat mbase priste mbështetjen e klubit. Tani e ka, prandaj kundër Palermos shumë gjëra do të ndryshojnë. Me shifrat (pasimet e tri golave të fundit) Giovinco ka treguar se cilësia e tij tani është e domosdoshme. Del Piero ndërkohë, përveç golit të bukur kundër Zenitit, ka kohë që nuk shënon, ndërsa Nedved nuk po shkëlqen; kështu që njëri nga të dy do të ulet në stol, për t’i hapur vend talentit të ri. Madje, duke parë gjendjen e mirë të Iaquintas, ka mundësi që të përfundojnë të dy në stol. Për të dielën po formohet, me sa duket, një dyshe sulmi Amauri-Iaquinta, me Giovincon ne mbështetje, edhe pse nuk dihet se kjo mbështetje do të vijë nga qendra apo nga krahu i majtë. Jashtë dy shtylla, si Del Piero dhe Nedved, të lodhur nga ndeshjet e fundit. Janë këto zgjedhjet e vështira të Ranierit, i cili të enjten, para stërvitjes, i ka diskutuar me ekipin. Për një orë ka folur për gabimet e bëra kundër Bates, për të shpjeguar zgjedhjet e tij për ndeshjen kundër Palermos.

Edhe Mellberg gati
Chiellini “KO”, rikthehet Knezevic

Nuk ka paqe për Juven! Për një rikthim ka menjëherë një largim. Me Palermon Ranieri do të ketë në dispozicion Buffonin, por mbrojtja është në alarm. Pas Legrottaglies, i cili do të qëndrojë jashtë për tri javë, pas një tërheqje muskolore, marrë në Minsk, edhe Chiellini ka pësuar një dëmtim në gjurin e djathtë. Dhimbja nuk ia ka lejuar të marrë pjesë në seancën stërvitore dhe paraqitja e tij të dielën është në dyshim. Kështu krijohen hapësirat për dyshen e qendërmbrojtjes të formuar nga Knezevic-Mellberg. Tekniku bardhezi shpreson akoma te rikuperimi i Chiellinit, edhe pse kjo varet nga dëshira e lojtarit për t’i shtrënguar dhëmbët edhe njëherë tjetër. Në rast mungese, zgjedhja e detyruar me Knezevic është Mellberg, për herë të parë bashkë në këtë pozicion. Një rrezik jo i llogaritur, që krijon pak tension në një periudhë pa shkëlqim për Del Pieron dhe shokët e tij. Ndërkohë që vazhdon rikuperimi i Zebinas, edhe pse nuk ndodhet te lista e të grumbulluarve. Pikërisht, kapiteni duhet ta nisë ndeshjen nga stoli, me Iaquintan dhe Amaurin, që formojnë dyshen sulmuese. Do të luajë, që nga minuta e parë, edhe Giovinco, i cili do të marrë vendin e Nedved.

Nuk ka komente: