e hënë, 6 tetor 2008

“Humbje që djeg, por do të reagojmë”

Claudio Ranieri është shumë i zhgënjyer pas disfatës kundër Palermos, por kërkon të qetësojë situatën duke premtuar se skuadra e tij do të reagojë pas ndalesës së kampionatit (si rrjedhojë e takimeve të Kombëtareve). Në të njëjtën kohë, tekniku bardhezi kërkon të përgënjeshtrojë konfliktet ndërmjet tij dhe veteranëve të grupit, pas rezultateve negative: “Nuk ekziston asnjë polemikë brenda grupit tonë. Te Juventusi të gjithë punojmë së bashku, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të kalohen këto situata të vështira. Gjithmonë kam deklaruar se nuk kërkoj të shoh renditjen, pasi kemi ende shumë ndeshje në dispozicion për të reaguar kundrejt rezultateve të fundit dhe kundërshtarëve tanë. Shpresojmë që edhe ndalesa e kampionatit të na ndihmojë më shumë në rikuperimin e forcave dhe mbi të gjitha në rikuperimin e të dëmtuarve të shumtë”, thekson tekniku bardhezi. Pankina e Claudio Ranierit vihet gjithmonë e më shumë në diskutim pas rezultateve të fundit, por presidenti i “Zonjës së Vjetër”, Cobolli Gigli, përgënjeshtron diçka të tillë: “Askush nuk është në diskutim te Juventusi, aq më pak trajneri. Thjesht duhet të reagojmë”..

Nuk ka komente: