e hënë, 6 tetor 2008

Italia: Lippi lë në shtëpi Del Pieron

Katër të reja nga trajneri “axurr” për sfidat e “Botërorit 2010″ me Bullgarinë dhe Malin e Zi.
Nuk është kapiteni i Juventusit Alessandro Del Piero në listën e 23 lojtarëve të grumbulluar nga trajneri i kombëtares italiane, Marcello Lippi, për dy sfidat kualifikuese për “Botërorin 2010″, programuar për të shtunën, më 11 tetor, në Sofje kundër Bullgarisë dhe të mërkurën, më 15 tetor, në Lecce kundër Malit të Zi. Katër janë të rejat e Lipit: Fabiano Santacroce i Napolit, Giuseppe Rossi i Villarealit, Simone Pepe i Udineses dhe Cristian Maggio i Napolit. Janë të shumta, ndërkohë mungesat për shkak të dëmtimeve. Italia do të rifillojë pas dy ditësh ecurinë në ndeshjet kualifikuese të Botërorit të Afrikës së Jugut pas fitoreve të arritura në shtator kundër Qipros dhe Gjeorgjisë. Për sfidën e dyfishtë kundër Bullgarisë dhe Malit të Zi nuk do të jetë Aleks Del Piero, lojtari “i luksit” i lënë në shtëpi. Një mungesë e paparashikuar në të vërtetë, aq më shumë kur kapiteni juventin shënoi golin e barazimit të përkohshëm dje në humbjen kundër Palermos në Torino. Sulmuesi bardhezi po kalon një periudhë të mirë me klubin e tij, por ndoshta Lippi, si një ish-juventin, ka menduar më mirë ta lërë në shtëpi të stërvitet për të nxjerrë “Zonjën” nga kriza. Një lëvizje e ardhur ndoshta pas një marrëveshjeje mes të dyve, pasi Aleks Del Piero gjithnjë e ka pasur hapur derën e kombëtares me Lippin në stol. “Axurrët” do të grumbullohen sot pasdite në Koverçiano, ku nesër në mëngjes do të zhvillojnë stërvitjen e parë në orën 10:30. Nisja për në Sofje është programuar të premten, më datë 10 tetor.
Ja, lista e plotë e lojtarëve:

Portierë: Buffon (Juventus), Amelia (Palermo), De Sanctis (Gallatasaray); Mbrojtës: Bonera (Milan), Cannavaro (Real Madrid), Chiellini (Juventus), Dossena (Liverpool), Gamberini (Fiorentina), Santacroce (Napoli), Zambrotta (Milan);
Mesfushorë: Aquilani (Roma), Camoranesi (Juventus), De Rossi (Roma), Gattuso (Milan), Maggio (Napoli), Montolivo (Fiorentina), Nocerino (Palermo), Perrotta (Roma);

Sulmues: Di Natale (Udinese), Gilardino (Fiorentina), Pepe (Udinese), Giuseppe Rossi (Villareal), Toni (Bayern Munhen).

Nuk ka komente: