e hënë, 6 tetor 2008

“Zonja” në krizë, por Ranieri nuk preket

Humbja me Palermon shqetëson klubin. Presidenti Giovanni Cobolli Gigli: Projekti duhet të shkojë deri në fund!
Klubi, në veçanti administratori i deleguar Blanc dhe drejtori sportiv Secco, nuk kanë pasur asnjëherë ndonjë problem me Ranierin. Për skuadrën nuk kam çfarë të them mbi këtë temë, sepse janë 24-25 lojtarë.”Giovanni Cobolli Gigli konfirmon besimin e plotë të klubit ndaj trajnerit të Juventusit pas humbjes së “Zonjës” në “Olimpico” të Torinos me Palermon. Por nga ana tjetër, hap një skenar mbi marrëdhëniet mes Ranierit dhe futbollistëve, sidomos me “gardën e vjetër”. “Lojtarë si Buffon dhe Del Piero, - ka shtuar presidenti i Juves, - janë kolona të kësaj skuadre. Dhe ata e dinë që projekti ynë duhet të shkojë deri në fund me këtë trajner. Siç më tregoi një ditë Vialli për Juven e tij, edhe për këtë unë them mendimin tim sot (dje) pas humbjes: kjo skuadër do të bëjë gjëra të mëdha.” Ndërkohë, Alessandro Del Piero u përgjigjet kështu pyetjeve mbi zërat relativë për tension në skuadrën bardhezi: “Përkushtimi dhe dëshira për të fituar është e madhe. Juventusi është si shtëpia ime dhe e mbroj në maksimum. Për mua rëndësi ka kur m’i thonë gjërat në sy. Nëse ka probleme, duhet të flitet pa frikë, - shpjegon kapiteni juventin. - Duhet të shfrytëzojmë pushimin e ndeshjeve të kombëtares, duhet të punojmë dhe të përkushtohemi për të dhënë më shumë, jo vetëm lojtarët. Duhet të përmirësohemi dhe të rimarrim situatën nën kontroll.”
Claudio Ranieri duket i zemëruar për disa artikuj shumë kritik ndaj tij para ndeshjes me Palermon: “Nuk po ndodh gjë, - shpjegon trajneri. - “Të vjetërit” po bëjnë punën e tyre, ata nuk janë aspak kundër meje. Nuk ka asgjë të vërtetë nga ato që shkruajnë gazetat, të cilat flasin se duket që po përgatisin terrenin… Në këto momente as rezultatet s’po na japin të drejtë. Ne do të ecim para, nuk mund të bëjmë gjë tjetër. Vijmë nga një seri ndeshjesh brenda pak ditësh, duhet të nxjerrim në pah forca të reja. Nuk ka asgjë, duhet të dimë të jemi të gatshëm të dalim nga çdo situatë, qoftë edhe e keqe.”
Tekniku bardhezi analizon më pas ndeshjen ndaj siçilianëve, ku Juvja mbeti me dhjetë lojtarë, për shkak të daljes me karton të kuq të Sisokos: “Të luash me dhjetë vetë nuk është e lehtë, por unë nuk dua të kërkoj justifikime. Në pjesën e dytë në inferioritet numerik, luajtëm më shumë ne sesa Palermoja, që pati meritën që na gjeti të papërgatitur në kundërsulm. Ishte një ndeshje statike.” Nedvedi dhe Camoranesi e nisën ndeshjen nga stoli dhe hynë në pjesën e dytë. Ranieri shpjegon: “Çeku duhet të riaftësohet pas shumë ndeshjesh. Camoranesi? Nuk ishte në 100% dhe parapëlqeva ta aktivizoj në pjesën e dytë.”

Nuk ka komente: