Sulmuesi brazilian ka qenë vendimtar për bardhezinjtë në ndeshjen e Kupës së Paqes kundër Seviljes
I falur. Ferrara është treguar i ashpër në Trento me Amaurin, i nxjerrë jashtë me karton të kuq pas goditjes me grusht të Di Cesares. Por mbas fitores me Sevillan gjithçka është harruar, me përjashtim të gjobës me të cilën do të ndëshkohet braziliani, që rrezikon edhe një skualifikim në kampionat. Në raste të tilla ka trajnerë, që i lënë në stol lojtarët që gabojnë dhe të tjerë që i japin atyre menjëherë mundësinë për ta ndrequr gabimin. Ferrara bën pjesë tek kategoria e dytë dhe ka marrë atë që priste. Jo vetëm golin, vendimtar për fitoren dhe për të nxjerrë Juventusin nga loja e keqe e zhvilluar në pjesën e parë. Por edhe një paraqitje shumë pozitive, me brazilianin që ka qëndruar në fushë gjatë gjithë ndeshjes, në qendër të një sulmi të paprovuar më parë me tre lojtarë, që i ka ngarkuar më shumë përgjegjësi.
MËSIMI I MARRË - “Në fakt kemi patur më shumë se një debat - ka treguar sulmuesi i Juventusit. Dhe kur më ka provokuar më është kujtuar menjëherë ajo që ka ndodhur në Trento, që më ka shërbyer si mësim. Ta veshësh këtë fanellë do të thotë të japësh edhe shembullin e mirë, përtej fyerjeve që mund të merren në fushën e lojës. Kam mësuar shumë nga gabimi, jam përgjigjur me një gol të shënuar dhe me çmimin si lojtari më i mirë i ndeshjes, që e kam merituar. Mirë kështu, episodi mund të konsiderohet i mbyllur. Unë sigurisht jam shumë energjik, luftoj, por gjithmonë me korrektësi, kundër Sevillas ashtu si kundër Viçencës. Nëse në Trento kam patur atë reagim kjo ka ndodhur sepse jam fyer rëndë. Por tani duhet të shohim përpara”, ka thënë Amauri.
REALI I MADRIDIT - Dhe përpara Juventusit ndodhet Reali i Madridit, favoriti i Grupit B në Kupën e Paqes dhe kundërshtari i mundshëm i bardhezinjve në gjysmëfinale. “Kemi akoma edhe një ndeshje - ka paralajmëruar Amauri, duke menduar për koreanët e Seongnam, në të cilën duhet të tregohemi më agresivë. Por fakti se kemi mundur një skuadër Championsi si Sevilla e rrit besimin në forcat tona dhe na stimulon për të ardhmen. Reali do të na jepte një shtysë më shumë. Ferrara thotë se na ka sjellë këtu për të fituar, edhe pse janë vetëm ndeshje miqësore, edhe pse jemi akoma në gjysmën e fazës përgatitore. Pikërisht kjo më pëlqen shumë tek një trajner, ashtu si konkretësia e kësaj skuadre që pas një pjese të parë të luajtur jo shumë mirë, ka arritur të finalizojë siç duhet të vetmin rast që ka patur. Tani duhet të vazhdojmë kështu”.
NË MAKSIMUM - Flet edhe për veten. Për shkak të nxjerrjes në merkato të Trezeguet, që ditën e premte nuk ka luajtur asnjë minutë si pasojë e një shqetësimi jo shumë të qartë, Amauri akoma më shumë se viti i kaluar do të jetë pjesë e formacionit titullar, pavarësisht nëse Juventusi do të luajë me dy apo me tre sulmues, siç ka bërë kundër Sevillas. “Ata që luajnë për Juventusin duhet të japin gjithmonë 100%. Por kjo nuk është e mundur të ndodhë në të gjitha ndeshjet. Pas meje qëndrojnë sulmues të tjerë, që duan të luajnë. Por unë do të bëj gjithçka është e mundur për të bërë një sezon të madh, edhe sepse Botërori po afron”, ka thënë Amauri.
e hënë, 27 korrik 2009
Abonohu te:
Posto komente (Atom)
Nuk ka komente:
Posto një koment