e hënë, 13 korrik 2009

Cobolli Gigli: Mourinho duket i shqetësuar

I duhet dhënë fund zërave që flasin për një kalim të Nedvedit tek Interi apo te Lazio. Presidenti i Juventusit, Giovanni Cobolli Gigli, i bën të gjithë të heshtin dhe i hap dyert e klubit lojtarit çek. “Nedvedi e di se një vend tek Juventusi për të do të jetë gjithmonë dhe se Ciro Ferrara e pret. Nga ana tjetër jemi ndarë, pas ndeshjes së fundit të kampionatit kundër Lazios, me një përshëndetje të madhe që tregonte qartë marrëdhënien e tij të ngushtë me klubin, ka shpjeguar numri një i bardhezinjve. Unë pres që ai të vijë tek ne, do të isha i lumtur nëse do të bashkëpunonte me Ferrarën, që ka përgatitur për të një pozicion në stafin teknik”.

NEDVED “Mundësitë paraqiten vetëm një herë në jetë, ka vazhduar Cobolli Gigli, nuk dua të bëj polemikë, sepse jam shumë i lidhur me të, e kuptoj se janë ditë ku duhet të marrë një vendim, por jam i bindur se do ta bëjë një gjë të tillë edhe duke respektuar tifozët juventinë”. Pasi është mbyllur kapitulli Nedved, presidenti i Juventusit ka folur për Juven që po lind, për një skuadër që po përgatitet të jetojë sezonin e tretë në Serinë A pas makthit në Serinë B. “Kanë kaluar tre vjet nga ai moment, por si atëherë entuziazmi në Pinzolo (vendi i grumbullimit të Juventusit) nuk mungon. Edhe tifozët në atë periudhë të vështirë kanë qëndruar afër skuadrës dhe klubit, këtu jemi si në shtëpinë tonë dhe fatmirësisht sa herë që kemi ardhur këtu, kemi përmirësuar rezulatet tona, duke kaluar nga Seria B në Serinë A, nga kjo e fundit në Champions League dhe më pas tek vendi i dytë në kampionat. Shpresojmë të përmirësohemi akoma”.

MOURINHO - Mendimet e Cobolli Giglit shkojnë menjëherë tek rivalët e Interit dhe tek deklaratat e Mourinhos, i pakënaqur me merkaton zikaltër. “Nuk e di se sa i fortë është Interi, por nëse dëgjoj deklaratat e trajnerit të tyre më duket shumë i shqetësuar. Ne sigurisht ndihemi më të fortë se vitin e kaluar”. Ndërkohë, në tetor skadon mandati tij si president i bardhezinjve dhe e ardhmja e Cobolli Giglit mbetet akoma për t’u përcaktuar. “Faza më e vështirë ka kaluar, ka shpjeguar Gigli, Juvja ka arritur normalitetin, kam mësuar shumë gjëra të futbollit që nuk i dija, mund të jem i gatshëm edhe për të vazhduar më tej, por kjo u takon aksionistëve të klubit ta vendosin. Unë ndihem shumë mirë tek Juventusi”.
DIEGO Mbërritja e Diegos ka sjellë në ambientin bardhezi humorin e kohëve më të mira. “Më ka pëlqyer të shikoj sytë dinakë të Diegos dhe zgjuarsinë me të cilën ka ditur të fitojë miqësinë e Del Pieros. Jam i bindur se ata të dy në fushë do të na dhurojnë shumë gjëra të bukura”. Kolonia braziliane mund të pasurohet me mbërritjen e Felipe Melos. “Uroj, ka theksuar presidenti juventin, që të bashkohet me skuadrën në Pinzolo, do të thotë se marrëveshja do të mbyllet shumë shpejt me Fiorentinën, një klub me të cilin kemi marrëdhënie shumë të mira. Jam optimist, falënderoj Blancun dhe Seccon”.

SECCO Në prtije të zyrtarizimit të Felipe Melos, Juventusi vazhdon të lëvizë në merkato. Por, drejtori sportiv i bardhezinjve, Alessio Secco, ka përgënjeshtruar gjithçka në lidhje me blerjen e një mbrojtësi të krahut të majtë. “Vazhdoj të lexoj në gazeta për blerjen e mundshme të mbrojtësve për krahun e majtë,- ka shpjeguar ai, dua të saktësoj se një gjë e tillë nuk është e vërtetë. Nuk kërkojmë asnjë lojtar në atë pozicion ku, për sezonin e ardhshëm, do të mbështetemi tek Cristian Molinaro dhe Paolo De Ceglie. Tiago? Nuk di në çfarë mënyre t’i përgënjeshtroj këto zëra. Tiago është një lojtar që ne e cilësojmë të pashitshëm.

Nuk ka komente: