e shtunë, 11 korrik 2009

Amauri: “I nderuar që do mbaj numrin e Nedvedit”

Nuk kishte sesi të mungonte në prezantimin e fanellave të reja të Juventusit (tre ditë më parë) dhe në grumbullimin e djeshëm në Pinzolo, sulmuesi brazilian, që ka qenë ndër të parët që ka mbërritur. Amauri ka mbetur i suprizuar nga ndryshimi i “look”-ut të fanellave të reja, por ai e ka kuptuar se një gjë e tillë lidhet me faktin se edhe Juventusi po ndryshon, mbi të gjitha për sezonin e ardhshëm, kur pritet që në urdhrat e trajnerit Ciro Ferrara të jetë një skuadër madhështore. “Duam të rikthehemi të fitojmë menjëherë. Drejtuesit e klubit po punojnë bindshëm për të zvogëluar diferencën teknike ndërmjet nesh dhe Interit - thekson Amauri. Numri 11? Ky numër ka qëndruar për tetë vite me radhë në shpatullat e Pavel Nedvedit dhe për mua do të jetë një nder i madh që do të trashëgoj atë. Paveli përfaqëson një pjesë të rëndësishme të historisë së Juventusit dhe gjurmët e tij dua t’i ndjek edhe unë, duke filluar nga sezoni i ardhshëm. Si grup jemi përmirësuar dhe lojtarët e rinj që kanë mbërritur, kanë shtuar dozën e entuziazmit edhe te ne të tjerët. Interi? Le të themi se për momentin, ende pa zbritur në fushë, kanë grupin e lojtarëve më të mirë, por kjo nuk do të thotë asgjë. Edhe ne jemi përforcuar maksimalisht dhe jam shumë i sigurt që tani mund të përballemi si të barabartë me cilëndo skuadër italiane dhe evropiane. Ndjej që jemi shumë kompetitivë, sepse me Diegon, Cannavaron dhe Felipe Melon, tani të gjithë duhet të fillojnë të kenë frikë nga ne”, shprehet sulmuesi brazilian i Juventusit, Amauri.

Nuk ka komente: