e premte, 10 korrik 2009

Giovanni Cobolli Gigli dhe Pantaleo Corvino flasin për çështjen Felipe Melo

Giovanni Cobolli Gigli - Pavarësisht se kanë arritur marrëveshjen me klubin e Fiorentinës, presidenti Giovanni Cobolli Gigli kërkon të qëndrojë me këmbën në tokë deri sa kjo marrëveshje të zyrtarizohet plotësisht, pasi aktualisht mungon firma e futbollistit brazilian. “Me Fiorentinën kemi arritur një marrëveshje, por gjithsesi, duhet të presim ende firmën e lojtarit, në mënyrë që kontrata jonë të quhet e rregullt. Pasi të arrijmë një gjë të tillë, do të depozitojmë marrëveshjen me lojtarin në zyrat e Ligës Italiane të Futbollit dhe vetëm atëherë mund të themi se Felipe Melo është përfundimisht një lojtar i Juventusit për sezonin e ardhshëm”, shprehet Gigli.


Pantaleo Corvino - Cobolli Gigli nuk i gëzohet nënshkrimit me Felipe Melon derisa vetë lojtari të firmosë kontratën me Juventusin. Ndërkohë, drejtori sportiv i Fiorentinës, Pantaleo Corvino, pranon arritjen e marrëveshjes me Juventusin, mbi bazën e 25 milionë eurove për kartonin e brazilianit. “Marrëveshja ndërmjet klubit të Fiorentinës dhe Juventusit tashmë është një çështje e mbyllur. Tani i takon vetë Felipe Melos të gjejë një marrëveshje me Juventusin, për shifrat ekonomike të kontratës së tij. Ne do të marrim 25 milionë euro nga klubi torinez, nga të cilat do të zbresim shumën e kartonit të Marchionnit, pastaj të tjerat na takojnë ne”.

Nuk ka komente: