e premte, 10 korrik 2009

Del Piero: Do përmirësojmë vendin e dytë

Alessandro Del Piero këto ditë do të qëndrojë në Napoli për një fushatë bamirësie. Ndonëse në një rast të tillë, kapiteni i Juventusit nuk preferon të flasë për futbollin, breshëria e pyetjeve të gazetarëve kundrejt tij, bën që "Pinturicchio" t’u japë përgjigjet që kërkojnë për sezonin e ardhshëm. Del Piero premton se me blerjet e kryera, skuadra e tij do të zhvillojë sërish një tjetër kampionat si protagoniste. "Duhet të përmirësojmë vendin e dytë të sezonit të kaluar. Objektivi ynë pas ringjitjes në Serinë A ka qenë përmirësimi i pozicionit të renditjes nga viti në vit." I pyetur nëse me përmirësimin e vendit të dytë, Alessandro Del Piero beson te rikthimi i Juventusit në festimin e titullit kampion, kapiteni bardhezi përgjigjet i sigurt: "Padyshim që objektivi ynë për sezonin e ardhshëm do të jetë fitorja e Serisë A".

Rinovimi i kontratës Dy ditë më parë, presidenti Giovanni Cobolli Gigli i ka kërkuar publikisht kapitenit të "Zonjës së Vjetër" të nxitojë për të nënshkruar marrëveshjen e re me klubin. Një shenjë e tillë e presidencës së klubit tregon se “Pinturicchio” shihet ende si një lojtar i paprekshëm dhe shumë i rëndësishëm për Juventusin. “Me Del Pieron nuk do të ketë asnjë problem për rinovimin e kontratës. Nuk duam ta zgjasim më këtë çështje, ndaj në ditët e para, kur lojtari do të bashkohet me skuadrën në grumbullimin e saj, do të rinovojmë marrëveshjen me kapitenin tonë. Në ditët e kaluara është krijuar një tension i madh kundrejt kësaj çështjeje, por publikisht ju konfirmoj se Alessandro është lideri, është imazhi më i mirë i klubit tonë dhe padyshim që për ne ai ishte, është dhe do të mbetet një lojtar shumë i rëndësishëm. Mendoj se me Del Pieron nuk duam të përfundojë ashtu siç ndodhi me Pavel Nedvedin, sepse ashtu si çeku, edhe Aleks ka ende shumë për të dhënë në botën e futbollit, ashtu sikurse për Juventusin”, deklaron Cobolli Gigli.

Objektivat Për rinovimin e skuadrës, të paktën nga fjalët e presidentit juventin, nuk do të ketë asnjë problem. Gjithsesi, Del Piero vazhdon të sillet gjithmonë si kapiten dhe përsa i përket sezonit të ardhshëm, numri 10 i “Zonjës së Vjetër” i ka idetë e qarta mbi atë çfarë duhet të bëjnë shokët e tij të skuadrës, ashtu sikurse edhe trajneri Ferrara: “Për Ciron mund të them se është një mik dhe ka qenë një shok skuadre i jashtëzakonshëm. Për momentin, për Ferrarën mund të flas vetëm si shok, por si trajner ende duhet ta zbulojmë. Kampionati i ardhshëm shpresojmë që të jetë më i bukur se ai i kaluari, ku të përmbajë luftë të ashpër dhe spektakël. Mbi të gjitha, kërkoj që të jetë më i ekuilibruar, sepse futbolli është sporti më dëfryes, për vetë faktin se dhuron spektakël dhe emocion, por nuk është i përbërë vetëm nga forca fizike e lojtarëve që zbresin në fushë. Interi? Shpresoj që edhe me përforcimet që kemi bërë, të mos vazhdojnë të jenë superiorë kundrejt nesh, pasi unë mbetem i mendimit se asnjë skuadër nuk është e pathyeshme. E rëndësishme është që Juventusi ta fillojë në mënyrë pozitive sezonin dhe më pas ta përfundojmë duke përmirësuar vendin e dytë të sezonit të kaluar, pra të festojmë titullin kampion”, përfundon Alessandro Del Piero.

Nuk ka komente: