Trajneri i Juventusit kërkon suksesin me çdo kusht “Kupën e Paqes” ndaj formacionit spanjoll
Kërkon t’i bëjë një rreng madrilenëve. “Të qethë dhe të rruajë” Kaka'n dhe Cristiano Ronaldon. Me pak fjalë, gjithë Realin e Madridit. Ciro Ferrara do të bëjë rolin e Berberit të Seviljes. Atje ku zhvillohet Kupa e Paqes është vendi i duhur për ta bërë këtë, fitorja ndaj, pikërisht Sevillas, ka bërë pjesën tjetër. Trajneri i ka idetë e qarta. “Dua ta fitoj këtë trofe. Fitoret të ndihmojnë, gjithmonë, edhe pse janë në miqësore”. E qartë? Do të mposhtë Realin, kundërshtar i mundshëm në gjysmëfinalet e këtij turneu. Titulli është përgatitur tashmë: “Mos provoni…”. Idea është kjo: të fitohet. Ekzistojnë treguesit e parë. Prej më shumë se një muaji tekniku bardhezi studion skemën 4-3-1-2, me Diegon-rombin-Melon. Por interpretuesit kryesorë, dy brazilianët, nuk janë akoma gati. Mund të lihet mënjanë eksperimenti i bërë me skuadrën e Sissokos, gjithashtu përballjet me Nancyn dhe Vizenzan. Por këtë herë përballë ishte Sevilja, skuadër spanjolle që do të luajë në Champions. Një kundërshtar serioz, ndeshje e vërtetë. Mungojnë brazilianët? Hidhet në fushë skema 4-3-3: interpretuesit më të mirë në dispozicion, të përfshirë në pozicionet më të përshtatshme. Ferrara nuk e ka fshehur dëshirën e tij të madhe që ka patur për të fituar kundër spanjollëve: “Po, doja të fitoja patjetër. Ky është një kompeticion i rëndësishëm dhe ne vinim nga dy barazime. Gjithsesi e kam thënë gjithmonë se nuk do të fiksohesha vetëm tek një modul loje”, ka thënë trajneri bardhezi. Këtë e ka treguar kundër një kundërshtari të denjë, dhe pa përdorur armë si Diego apo Melo. Duke u kujtuar atyre që ndoshta e kanë harruar, se mund të mbështetet edhe tek Zanetti e Marchisio. Deri në atë pikë sa pyetja vjen natyrshëm: si do t’i lërë jashtë këta dy lojtarë Ferrara? “Nuk më shkon ndërmend t’i lë jashtë. Konkurrenca brenda skuadrës është e mirëpritur, nuk do të jetë një problem. Kemi nga dy lojtarë për çdo pozicion, kemi shumë impenjime dhe ne duam të jemi kompetitivë në të gjitha frontet. Por, tani duhet të përballemi me skuadrën e Seongnamit”, ka thënë trajneri bardhezi. Është Juventusi i Koresë së Jugut, asnjë nga ato anë nuk ka fituar më shumë kampionate. Ndërkohë, vazhdon të jetë në dyshim aktivizimi i Diegos. “Të shohim, por gjëja e rëndësishme është të mos nënvlerësojmë asnjë kundërshtar”. Korea meriton respekt, në historinë e futbollit italian kapituj të tillë janë shkruar më parë. Më pas, nëse futbolli i verës do të respektojë parashikimet, do të jetë koha e një përballjeje Real Madrid-Juventus. “Berberi” buzëqesh: “Do të ishte një sfidë shumë interesante”, ka përfunduar Ferrara.
e hënë, 27 korrik 2009
Abonohu te:
Posto komente (Atom)
Nuk ka komente:
Posto një koment