e martë, 21 korrik 2009
Cannavaro: Erdha që të fitoj me Juventusin
Kapiteni i Italisë ka dhënë konferencën e tij të parë për shtyp pas rikthimit tek bardhezinjtë
“Jam këtu për të fituar, edhe pse nuk jam më lojtari, që kam qenë në 2006-ën mund të jap akoma shumë. E prisja protestën e tifozëve, por unë nuk kam treguar mungesë respekti ndaj askujt”. Fabio canNavaro e ka filluar me një konferencë për shtyp aventurën e tij të re tek Juventusi dhe nuk ka parë një ndryshim të madh në krahasim me të kaluarën: “Ka ndonjë element të ri, ka shumë lojtarë të rinj, por atmosfera nuk ka ndryshuar, ka mbetur ajo kulturë e punës dhe dëshira për të fituar”. Ndërkohë, një pjesë e tifozerisë bardhezi kundërshton rikthimin e kapitenit të Italisë tek Juventusi. “Isha i përgatitur për këtë, më vjen shumë keq. Kemi shpjeguar arsyet që në të kaluarën na kanë detyruar të bëjmë zgjedhjet që kemi bërë. Qëndrimi i një pjese të tifozerisë mund të ketë lidhje me disa deklarata që kam bërë, por unë nuk kam dashur të tregoj mungesë respekti ndaj askujt”, ka thënë Cannavaro. “Jam këtu për të punuar, për të dhënë maksimumin dhe për t’u përpjekur për të fituar ndonjë trofe. E kuptoj hidhërimin për atë që ka ndodhur tre vite më parë. Njerëzit më donin, në atë moment më vinte keq për skuadrën”, ka kujtuar ai. “Me Juven, 3 vite më parë, jemi ndarë në mënyrë të qartë. Klubi më ka shitur tek Reali i Madridit, tani jemi rigjetur me të njëjtën qartësi”, ka shtuar Cannavaro, duke iu referuar transferimit të tij tek Reali në vitin 2006. “Sapo klubi më ka kontaktuar, unë kam qenë dakord. Nuk kam folur as për shifra, i kam dhënë të drejtën menaxherit tim ta mbyllë menjëherë marrëveshjen. Kam qenë i lumtur për këtë rikthim, po flasim për një skuadër si Juventusi, që është klubi më i rëndësishëm, nuk mund të flitet për të si për një alternativë”, ka thënë napoletani.
MIQËSORJA - Ndërkohë në miqësoren e dytë të sezonit bardhezinjtë nuk kanë arritur të shkojnë më larg se një barazim 1-1 kundër skuadrës franceze të Nancyt, në atë që është pagëzuar si “Dita e Platinisë”. Pas një fillimi të mirë (gol i Amaurit në minutën e 8), Del Piero me shokë janë dukur të lodhur dhe kanë pësuar golin e barazimit në minutat e fundit të pjesë së parë.
FERRARA - “Më ka pëlqyer përmirësimi i lojës së skuadrës, duke patur parasysh se na mungojnë akoma edhe dy javë përgatitje. E dija se do të kishim vështirësi në fillim, mund të ndodhë kur ndryshohet një modul, por kjo nuk do të ndryshojë idetë që ne kemi”. Këto kanë qenë fjalët e trajnerit të Juventusit, Ciro Ferrara, pas barazimit 1-1 në miqësoren midis bardhezinjve dhe Nancyt. “Kemi akoma shumë gjëra për të përmirësuar si përshembull lëvizjet mbrojtëse, ka shtuar Ferrara, mund të kishim bërë më shumë gola në këtë miqësore, por edhe mund të kishim pësuar më shumë. Gjithsesi, për momentin jam i kënaqur kështu”.
Abonohu te:
Posto komente (Atom)
Nuk ka komente:
Posto një koment