Milani interesohet për francezin, ndërsa Juvja kërkon Oddon. Menaxheri i sulmuesit e konfirmon
“Milani dhe Juventusi kanë marrëdhënie shumë të mira. Nëse do të ekzistonte mundësia për të zhvilluar një shkëmbim Trezeguet-Oddo ne mund të jemi dakord”. Kështu, Antonio Caliendo, menaxheri i sulmuesit francez, ka komentuar zërat për një shkëmbim të mundshëm në aksin Milano-Torino. “Davidi është shumë i motivuar dhe nuk frikësohet nga konkurrenca në shtëpinë e bardhezinjve, por sigurisht nëse klubi do të vendosë ta shesë ne nuk do të kundërshtojmë…”. Kështu, ka një zgjidhje të re për sulmuesin David Trezeguet që tashmë kërkohet nga Milani. Emri i sulmuesit francez, i ndjekur prej vitesh, duke filluar që nga koha e kalimit të tij tek Juventusi, është rikthyer të bëjë pjesë në listën e lojtarëve të drejtuesve kuqezinj. Trezeguet, që ka filluar me energji të madhe sezonin e tij të dhjetë në Itali, do të ishte një alternativë me kosto zero, ose pothuajse, e cila duhet ndjekur duke parë vështirësitë që kanë dalë në rrugën që të çon tek Luis Fabiano. Milani ka nevojë për një sulmues të fortë në aspektin fizik dhe të aftë në zonën e rreptësisë, ndërsa Juventusi është në kërkim të një mbrojtësi krahu. Zgjidhja mund të jetë një shkëmbim midis Trezeguet dhe Massimo Oddos. Mbrojtësi, i rikthyer tek Milani pas periudhës borxh tek Bayerni i Mynihut, nuk është midis të preferuarve të Leonardos, dhe nuk ka ndërmend të kalojë edhe një sezon tjetër. Deri tani ka refuzuar ofertën e Panathinaikosit, por idea për të përfunduar tek një klub tjetër i madh italian, nuk do ta linte indiferent. Përsa i takon Trezeguet, që i është ofruar Milanit kur Juventusi kërkonte Gilardinon, me kuqezinjtë ka një pëlqim reciprok prej shumë kohësh. Projekti i Leonardos do të ishte perfekt për ta ringritur francezin. Domethënë, dy lojtarët do të ishin dakord me këtë marrëveshje. Për momentin shkëmbimi është më shumë një ide se sa një marrëveshje. Nuk ka patur akoma asnjë kontakt, por Galliani dhe drejtuesit e Juventusit, kanë folur më parë për një mundësi të tillë dhe, duke parë marrëdhëniet miqësore midis dy klubeve, gjithçka të bën të mendosh se ky projekt mund të vazhdojë para: “Kur dua të marr një sulmues, unë shikoj statistikat”, ka përsëritur Galliani.
e shtunë, 18 korrik 2009
Abonohu te:
Posto komente (Atom)
Nuk ka komente:
Posto një koment