
Felipe Melo – Për blerjen e re, Ferrara shpreh vetëm fjalët më të mira: “Është një lojtar i nivelit shumë të lartë, i cili mund të luajë në shumë role të ndryshme në mesfushë. Harruam D’Agostinon? Është një lojtar që e vlerësoj shumë, por kur patëm mundësinë të blinim Melon, ndërruam rrugë. Felipe është një investim i madh për ne, por jam i bindur se do ta shpërblejë atë”.
Objektivat – Ferrara nuk është i frikësuar nga entuziazmi i madh që ka pushtuar skuadrën e tij dhe tifozerinë bardhezi: “Jam i ndërgjegjshëm për përgjegjësitë e mëdha, por ato nuk më trembin. Titullin? Drejtuesit e skuadrës nuk më kanë vënë asnjë kusht mbi objektivat që duhet të arrij, por një gjë të tillë nuk kishte as nevojë që të ma thoshin”.
Diferenca me Interin – Trajneri i “Zonjës së Vjetër” më pas komenton edhe fjalët e trajnerit zikaltër, Jose Mourinho, sipas të cilit grupi i lojtarëve të tij nuk e kënaq aspak. “Shpeshherë fshihemi prapa fjalëve dhe deklaratave në mënyrë që presioni që ekziston rreth skuadrës të bjerë mbi kundërshtarët. Diferenca me Interin? Një gjë të tillë do të na e konfirmojë vetë fusha, por unë shpresoj që tashmë ajo të jetë rezauruar.
Cannavaro – Dy ditët e fundit, një grup tifozësh bardhezinj të pranishëm në Pinzolo kanë kontestuar Cannavaron dhe Zebinan, dhe Ferrara nuk nguron të mbrojë lojtarët e tij. “Është një problem që ekziston dhe shpresoj që të zgjidhet sa më shpejt. Cannavaro dhe Zebina janë dy lojtarë të mëdhenj. Jam dakord me Sissokon kur thekson se nëse një lojtar vërshëllehet, është njësoj sikur vërshëllehet e gjithë skuadra. Nëse tifozët duhet të kapen me ndonjë nga Juventusi, më mirë të më vërshëllejnë mua dhe t’i lënë të qetë futbollistët të stërviten”. Trezeguet, Tiago dhe Poulsen? Çiro Ferrara ka mbyllur deklaratën e tij, duke folur për tre nga lojtarët më të polemizuar në sezonin e fundit bardhezi: “Trezeguet nuk është një problem për mua. Kam biseduar me të dhe unë personalisht do të isha i lumtur nëse ai do të qëndronte, por jo çdo gjë varet nga mua. Tiago? Mund të jetë shumë i dobishëm dhe kam besim se me modulin e ri Tiago do të rilindë. Poulsen? Kam folur edhe me të, por fillimisht është ai vetë që duhet të sqarojë situatën me klubin dhe me menaxherin e tij, duke parë që vitin e ardhshëm do të zhvillohet edhe Botërori në Afrikën e Jugut. Ai po stërvitet në mënyrë serioze e intensive dhe është padyshim lojtari që gëzon gjendjen më të mirë fizike për momentin. Derisa Poulsen të jetë pjesë e grupit tonë, ai do të ketë të gjithë gatishmërinë time”, përfundon Ferrara.
Nuk ka komente:
Posto një koment