e premte, 24 korrik 2009

Bufon: S’mjaftojnë vetëm blerjet për të fituar

Portieri bardhezi, para nisjes me Juven në turneun e Seviljes është i kënaqur nga merkatoja e klubit

Kam përshtypje të mira. Skuadra është përforcuar. Por kjo nuk është e mjaftueshme për të fituar, duhet të mendojmë të punojmë, vetëm më pas do të kuptojmë se deri ku duam të arrijmë”. Kështu shprehet Gigi Buffon para nisjes për në Sevilje: “Diego? Nuk e kam parë akoma në fushë dhe për të mund të flas vetëm si njeri: është i shkëlqyer, ka hyrë në “majë të gishtave” në grup, me shumë përulësi. Një si ai mund të arrijë me ne hapin cilësor”. Në aerportin e Caselles, para nisjes për në Spanjë ku Juventusi do të luajë në turneun “Kupa e Paqes” në Sevilje, Buffon lavdëron klubin për punën në merkato, por e di që nuk duhet të ndalojë këtu: “Kjo nuk është e mjaftueshme për të fituar, na duhen edhe shumë lojtarë të tjerë - deklaron poertieri bardhezi. Duhet të punojmë akoma shumë”. Mbi mundësinë e duelit në distancë me Interin në sezonin që vjen, duke parë edhe largimin e Ibrës te Barcelona dhe ardhjen e një tjetër kampioni te zikaltrit si Eto'o, numri një i bardhezinjve shtoi: “Një kampion si Eto'oja nuk mund të konsiderohet si i ardhuri i fundit. Në këto vite ka shënuar shumë dhe ka ndihmuar në fitoret e Barcelonës”. Ndërkohë, në ditën e prezantimit të tij zyrtar para tifozëve bardhezinj, Felipe Melo, është shprehur shumë entuziast për aventurën e tij të re që pritet të fillojë së shpejti: “Erdha tek Juventusi pasi ky është një klub ku mund të provosh të fitosh gjithçka. Për mua janë shpenzuar 25 milionë euro, sepse në Firence kam bërë një punë shumë të mirë. Tani është e nevojshme që të punojmë mirë dhe të mos mendojmë për Interin. Jam i lumtur që do të luaj në një skuadër me Diegon dhe Sissoko. Me këtë të fundit jam përballur dy herë dhe më ka befasuar shumë. Jam një njeri i lumtur, sepse do të luaj me një klub me të cilin kam mundësinë të fitoj si kampionatin ashtu edhe Champions Leaguen”, ka thënë braziliani. Felipe Melo, pas Kupës së Konfederatave të fituar me Brazilin, ka dëshirë të vazhdojë të fitojë trofe të tjerë: “Për të fituar, ka thënë ish-lojtari vjollcë, skuadra duhet të jetë si një familje dhe unë jam i kënaqur që bëj pjesë në këtë familje”.

Nuk ka komente: