e mërkurë, 15 korrik 2009

Felipe Melo: Juventusi mund të fitojë gjithçka

Mesfushori brazilian zbarkon në Torino dhe bën deklaratat e tij të para si një lojtar i klubit bardhezi

“Pasagjeri” Felipe Melo ka kaluar kontinentet dhe ka sfiduar zemërimin e qiejve. “Melo, Zoti të ndëshkoftë”, kanë shkruar tifozët e Fiorentinës në muret e Firences. Fatmirësisht, Zoti ka gjëra më të rëndësishme, me të cilat duhet të merret. Felipe ka zbarkuar në Itali. Ka fluturuar midis reve dhe përmbi Oqean, ka kaluar kufijtë. Eshtë nisur nga Rio të dielën mesditë, një ndalesë në San Paolo prej ku është nisur drejt Romës. Pasi ka zbritur në tokë e kanë çuar menjëherë me makinë në Perugia. Eshtë zhvilluar seanca e parë e vizitave mjekësore dhe më pas është rikthyer në Romë. Duhej të bënte edhe një udhëtim me avion. Ka udhëtuar në tre avionë të ndryshëm në dy ditë. Më pak kohë i është dashur të kalojë kufirin, që e ka çuar nga Fiorentina tek Juventusi. Mesfushori brazilian ka në gjak ritmin e muzikës Pagoda, dhe një buzëqeshje fëminore në fytyrë. Kur dhe nëse të del para, Melo nuk është një mur, por një dallgë. Nëse të godet, më pas të merr me vete.

- Felipe Melo, si ndiheni?
- Jam një njeri i lumtur.

- Një njeri që udhëton dërgon gjithmonë një kartolinë. Do ia dërgoni një tifozëve të Juventusit? Në Pinzolo janë të gjithë të çmendur për Melon.
- Ma kanë thënë, jam i emocionuar. Forca dhe mbështetja e tyre janë mënyra më e mirë për ta filluar këtë aventurë. Duhet të punojmë për ta çuar Juven në vendin e parë. Unë kur nuk fitoj zemërohem.

- Tani një kartolinë për tifozët e Fiorentinës.
- Dua t’i falenderoj për atë që më kanë dhuruar, do t’i mbaj gjithmonë në zemrën time. Më vjen keq. E kuptoj se disa, ndoshta shumë, tani janë të zemëruar me mua. Por ka qenë e drejtë që gjërat të shkonin kështu. Ka qenë një e mirë, edhe për klubin. Fiorentina ka marrë shumë parà dhe tani do të ketë mundësinë t’i investojë në merkato. Do ta bëjë këtë në mënyrën e duhur, si gjithmonë.

- I keni shkruar letër Corvinos dhe Prandellit. Eshtë një gjest antik, i denjë për një xhentëlmen. Nuk iu kanë thënë se në Itali ky zakon nuk ekziston më?
- Nuk e kam bërë akoma, por do ta shkruaj. Dua dhe duhet t’i falënderoj në këtë mënyrë. Corvino më ka zbuluar, atij i detyrohem shumë, nuk do ta harroj kurrë. Prandelli ka besuar menjëherë tek unë. Jam me të vërtet një njeri i lumtur. Kam një grua, tre fëmijë, luaj tek Juventusi. Dhe nëse kam arritur deri këtu kjo ka ardhur falë tyre, Corvinos dhe trajnerit Prandelli. Edhe falë të gjithë shokëve të skuadrës.

- Po nis një vit special. Kampionat dhe Champions?
- Kampionatin dhe Championsin, sepse tek Juventusi mund të fitosh gjithçka. Por për ta bërë një gjë të tillë duhet shumë punë.

- Ju kur keni ardhur në Itali keni thënë: ‘dua të luaj me Brazilin’.
- Kishte nga ata që kanë qeshur me mua. Por unë jam shumë i vendosur në atë që bëj. Dhe falë edhe besimit të Dungës ia kam dalë mbanë.

- T’i bëjmë të tjerët të qeshin edhe një herë: doni të fitoni Kupën e Botës me Brazilin?
- Sigurisht, po, por duhet t’i marrim gjërat me radhë. Ne brazilianët e dimë shumë mirë se pa sakrificë dhe punë nuk arrihet në asnjë vend.

- Është e vërtetë se në fillimet tuaja keni luajtur si qendërsulmues?
- Në Brazil po, në Spanjë kam ndryshuar rol. Kam luajtur edhe si mbrojtës i krahut të djathtë. Dhe tani, më në fund, luaj si mesfushor. Nuk ka asnjë dyshim, ky është pozicioni im.

- Preferoni skemën 4-2-3-1 apo atë 4-3-1-2?
- Kam luajtur me të gjitha skemat e mundshme, nuk kam asnjë preferencë. Preferoj vetëm të luaj, por këtë do ta vendosë trajneri Ferrara.

- Në Kupën e Konfederatave keni folur me ndonjë shok të ardhshëm bardhezi?
- Mbi të gjithë me Gigin, Buffonin.

- Numri i fanellës?
- Nëse do të jetë i lirë do të mbaj 88-ën.

- Keni tre qenër të racës Labrador, ngjyrë shampanjë…
- Tre Labrador të bardhë. Tani do të marr dhe tre të tjerë të zinj, por më parë duhet të njoftoj për këtë gruan time Roberta.

- Kanë dëgjuar drejtorin sportiv Secco që pëshpëriste: ‘Nëse marrim Melon do të fitojmë kampionatin’. Tani që iu kanë marrë çfarë do të ndodhë?
- Falenderoj Blancun dhe Seccon, të gjithë ata që më kanë dashur tek Juvja. Pres me padurim të filloj aventurën time të re me bardhezinjtë. Por me punë kjo skuadër mund të fitojë gjithçka.

Nuk ka komente: