e enjte, 9 korrik 2009

Juvja përballë Interit. Dhe fituesi është….


Dy të mëdhenjtë, krahasimet repart për repart. Nga mbrojtja deri te sulmi, ku zikaltërit shpallen “kampionë”

Me blerjen e Felipe Melos, ka nga ata që ndiejnë shtytjen për ta kandiduar Juven si favorite e ardhshme e kampionatit. Në hollësi sa për t’u zbavitur, pasi futbolli i verës rrallë del ai i vërtetë jepet një analizë e hollësishme, duke ia lënë verdiktin fushës dhe majit 2010 si dhe duke mos ia lënë askujt “monopolin e së vërtetës”.

Mbrojtja

Julio Cesar është i barabarti i Buffonit, madje në momente të caktuara do të ishte më e ndershme të thuhet se është paksa më lart. Por në tërësi, e gjithë mbrojtja e Interit të jep ndjesinë e besueshmërisë më të madhe, qoftë edhe sepse tashmë është repart i konsoliduar. Sidomos në qendër të mbrojtjes, dyshja Cordova (apo Carvalho)‑Samuel del si e parapëlqyer ndaj asaj juventine, Cannavaro‑Chiellini. Në krahët zikaltër, nga një anë është siguria Maicon dhe nga tjetra e panjohura Santon ( a do të arrijë vallë të përsërisë veten?). Në të djathtë, me Grygeran dhe Zebinan, bardhëzinjtë e vuajnë krahasimin, ndërsa në të majtë luajnë të barabartin me De Ceglie‑Molinaron. Dhe në arriftë Grosso dyshja e fundit do të ngjitej në renditje.

Juve: Vota 7.5 Inter: Vota 9 Mesfusha

Në të vërtet, me blerjen e Felipe Melos, Juventusi shton një peshë tepër të rëndë dhe cilësore në një repart, ku ka vuajtur vitin e shkuar. Braziliani, kulmi i ulët në një sistem 4‑3‑1‑2, apo në dyshe me Sissokon në një 4‑2‑3‑1 hipotetik, garanton mirëfilli cilësi dhe sasi. Sidoqoftë nuk është i vetëm, pasi Momo Sisoko, Camoranesi, Marchisio dhe Zanetti përfaqësojnë shokë tejet të vyer në përpjekjet dhe udhëtimin e kësaj aventure bardhezi. Interi hedh Thiago Mottan në një repart, tashmë të kolauduar, të cilit vitin e kaluar i mungonte fantazia dhe kapaciteti i manovrave, veçanti që tashmë garantohen nga Motta. Mbetet për t’u mbushur boshllëku i lënë nga largimi i Vieirasë, i mbuluar mirë dhe vetëm paqëndrueshmërisht nga Muntari, sezonin e shkuar.

Juve: Vota 8.5 Inter: Vota 8 Sulmi

Afrimi i Diegos i shton paparashikueshmëri sulmit, teksa ai juventin ka qënë në varësi të krijimtarisë së kapitenit Del Piero dhe shpërthyeshmërisë së Amaurit e Iaquintas. Nga ana e tij, Interi me Diego Militon dha një përgjigje të madhe. Vetëm një largim tashmë i pamundur i Zlatan Ibrahimovicit do ta anonte drejtpeshimin nga bardhëzinjtë. Sidoqoftë, këto presin ende një “trequartista” me më shumë fantazi se sa Stankovici (ose Thiago Motta).

Juve: Vota 8 Inter: Vota 8 Trajneri
Fatkeqësisht për Ciron “kombëtar”, përvoja e Mourinhos nuk mund të blihet. Trajneri portugez ka në bagazhin e tij dhe shënimet e një viti, si di ai t’i mbajë me hollësi; sigurisht do të nxjerrë mësime nga pësimet e së shkuarës, siç po e provon edhe fushata e blerjeve interiste. Natyrisht Ferrara do të derdhë qëndrueshnmërinë agresive dhe karakterin “Juve”, por në fushë do t’i mungojë diçka, siç është e pashmangshme dhe e ndershme t’ia lejosh.

Juve: Vota 7 Inter: Vota 8.5 Stoli

Ai stol i pafund i Interit, vendosmërisht është i paarritshëm për mundësitë dhe arkën juventine. Pavarësisht nëse Mourinho do të vazhdojë të këmbëngulë në reduktimin e organikës së tij, ata që do të qëndrojnë janë në të njëjtin nivel apo thuajse me titullarët. Alternativat në dispozicion të Mourinhos mbeten cilësore dhe garantojnë ndërkëmbimin e lojtarëve dhe të moduleve taktike. Juvja nuk e pëson krahasimin taktik, por në atë teknik nuk mund të thuhet se “ata të stolit” janë të njëvlefshëm me titullarët.

Juve: Vota 7,5 Inter: Vota 8.5 Vlerësimi i përgjithshëm

Pavarësisht blerjeve të Diegos dhe Felipe Melos, Juve ende mbetet në ndjekje. Në një ndeshje të vetme, duke luajtur 11 kundër 11 ka shanset e saj dhe mund të fitojë, por në shtrirje të gjatë, komponentët përcaktues janë të shumtë dhe në shumë syresh, Interi ende të bën ta parapëlqesh në vlerësim. Sepse është skuadër e konsoliduar, kompakte, e riforcuar dhe pa përmbysje, grup i shkëlqyer në pikëpamjen cilësore e në vetëdije dhe sa dhe sa të tjera. Juvja e sotme, si u tha do të derdhte në fushë cilësi, karakter të paepshëm, klas, freski dhe energji, por edhe mospërvojë dhe risi. Entuziazmi mund të luajë rol të madh, por sipas gjykimit më të përgjithshëm dhe të paanshëm, Juvja do të dilte mbi Interin, vetëm nëse zikaltërit do të përqendroheshin në Ligën e Kampionëve, duke humbur “vigjilencën”. Natyrisht po flasim për të sotmen, pa marrë parasysh nëse Secco do të kërkojë të befasojë, apo nëse i riktheheshin problemeve të vazhdimësisë së qëndrimit zikaltër të Ibrahimovicit dhe Maiconit.

Nuk ka komente: