e mërkurë, 15 korrik 2009

Del Piero e Diego, të bërë për njëri-tjetrin

Alessandro Del Piero shton entuziazmin në skuadër dhe gjithashtu edhe në radhët e tifozerisë, pas "pasarelës" së zhvilluar dje nga kapiteni i Juventusit pranë tribunës së fansave, të cilëve u dhuroi edhe disa autografe. "Duam të zhvillojmë një sezon madhështor, po punojmë me ritme të shkëlqyera dhe shpresojmë që çdo gjë të vazhdojë kështu, pasi sivjet duam medoemos të fitojmë diçka, shprehet kapiteni bardhezi. Skuadra po punon me shumë entuziazëm, edhe pse kjo nuk është aspak e lehtë, duke parë edhe lodhjen e madhe, me të cilën duhet të përballemi, por edhe kjo ka të mirën e saj. Këto janë ditë shumë të rëndësishme për ne, sepse trajneri, stafi teknik dhe disa nga shokët tanë të skuadrës janë të rinj, por çdo gjë po shkon në mënyrën më të mirë. Diego? E falënderoj për vlerësimin e tij kundrejt meje dhe jam mëse i sigurt se, me një kampion si Diego, do të ndihem shumë komod në fushë. Ndjej që ky do të jetë një sezon madhështor edhe falë mbërritjes së tij në skuadrën tonë dhe padyshim që do të përmirësojmë paraqitjen e sezonit të kaluar", tha Del Piero.


Plushenko në Pinzolo:
Juventusi dje ka marrë një surprizë shumë të bukur në grumbullimin në Pinzolo. Me bardhezinjtë, pasditen e djeshme është bashkuar edhe Evgeni Plushenko, patinatori rus, i vlerësuar si më i miri i të gjitha kohërave. Plushenko, një tifoz i njohur i Juventusit, pasi ka vizituar ambientet e stërvitjes bardhezi, ka takuar pjesëtarët e skuadrës dhe mbi të gjithë, idhullin e tij, Alessandro Del Pieron. Pasi ka drekuar me juventinët, patinatori rus fillimisht ka marrë si dhuratë një fanellë të Del Pieros dhe më pas i është drejtuar fushës së lojës, ku ka shkëmbyer disa topa më "Pinturicchion". "Futbolli është pasioni im i dytë, pas patinazhit dhe në Rusi kam shumë miq futbollistë, por Del Piero më pëlqen, sepse është një gjeni në fushën e lojës. Pikërisht prej tij jam shndërruar në një tifoz të Juventusit dhe që këtej e tutje nuk do humbas rast të vizitoj Torinon dhe skuadrën bardhezi", deklaron Evgeni Plushenko.

Nuk ka komente: