
Del Piero – Braziliani nuk ka harruar të bëjë një koment edhe për rinovimin e kontratës së Del Pieros: “Del Piero është një simbol për këtë skuadër, madje mund të them se është vetë Juventusi. Nëse, ashtu siç shkruajnë gazetat, do të vendosë të qëndrojë te bardhezinjtë përjetësisht, do të jetë një gjë e mrekullueshme, pasi simbolet e skuadrave në futbollin modern nuk janë të shumtë. Jam shumë i nderuar që e kam shok skuadre, pasi Ale është nga më të mirët”.
Konkurrenca – “Më vjen mirë që ekziston, sepse të gjithë duhet të punojmë për të dhënë maksimumin. Trezeguet, nëse është shumë i motivuar, do të jetë një ndihmë më shumë për Juventusin”. Amauri i ka idetë e qarta dhe nuk trembet aspak nga konkurrenca: “Unë besoj se secili lojtar ka pozicionin dhe detyrën e tij, pastaj loja e shkëlqyer e të gjithë skuadrës të çon drejt arritjes së objektivave të rëndësishëm”.
Nedved – “Do të më pëlqente që të rikthehej te ne, sepse përveç faktit që është një kampion i madh, është edhe një njeri i shkëlqyer. Njerëz si ai mund të japin gjithmonë diçka më shumë. Shpresoj dhe urojme gjithë zemër që ai të bëhet sërish pjesë e Juventusit, në skuadër apo në staf nuk ka rëndësi, mjafton që të jetë me ne”.
Diego – “Unë mendoj se ai është një lojtar shumë cilësor, i cili do të na ndihmojë që të shënojmë sa më shumë gola këtë sezon në të gjitha kompeticionet që do të marrim pjesë. Po pres me padurim, që të luaj bashkë me të në fushën e gjelbër”.
Ferrara – Më pas sulmuesi brazilian ka bërë një koment edhe për trajnerin e bardhezinjve, Ciro Ferraran: “Ai është shumë i mirë, merret vesh me ne dhe më pëlqen mënyra e stërvitjes. Moduli i ri? Mendoj se është pozitiv, të paktën deri tani, më pas të shohim ndoshta edhe mund të mos jetë përfundimtar. Shpresoj që Juventusi të fitojë sa më shumë të jetë e mundur këtë sezon, pasi të gjithë jemi të etur për të koleksionuar sa më shumë suksese”.
Nuk ka komente:
Posto një koment