e hënë, 20 korrik 2009

Juvja në kor: Nëse ikën Ibra, ne favoritë

Nga administratori bardhezi Blanc, te Secco dhe Chiellini, të gjithë presin largimin e suedezit

Rreth një harku kohor jo shumë të gjatë, “lodra” mund të plotësohet. Milani pa Kakànë, Interi pa Ibrahimovicin (edhe pse nuk është zyrtare), dhe Juventusi me një Cannavaro, Diego dhe një Felipe Melo më shumë. Në harkun e një muaji, Juventusi është gati të bëjë parakalimin përfundimtar. Një ide për të cilën janë të bindur të gjithë tifozët. Në Pinzolo (qendra stërvitore e bardhezinjve për fazën e parë të verës, në Trento) entuziazmi po arrin nivele të paprovuara më parë, sepse është e qartë për të gjithë sesa rëndësi ka Ibrahimovici në lojën dhe ekonominë e Interit. Të mos mendosh shumë, është e pamundur në një farë mënyre. Një Inter i privuar nga suedezi, vështirë se do të jetë i njëjti në prag të sezonit që vjen. Natyrisht “frenat e dorës”, janë gjithnjë të tërhequra mirë, frazat gjithnjë të matura. Nga ana tjetër, ta teprosh në mes të korrikut, do të ishte mënyra më e thjeshtë për të rrezikuar të digjesh që në shtator, kur parashikimet shndërrohen në fakte. Por Alessio Secco dhe Jean-Claude Blanc fillojnë të shijojnë që tani punën e kryer më së fundi në merkato.

SECCO - Drejtori sportiv, Secco, prej javësh kufizohet të bëjë “reklama” dhe nuk përpiqet të bëjë asnjë krahasim rezultatesh me Juven e madhe të kohëve të fundit, si të Lippit, ashtu edhe të Capellos. Por zërat këmbëngulës, që e shohin Ibrahimoviçin një hap larg Barcelonës, nuk mund të mos i shkëpusin një buzëqeshje: “Ne mendojmë për shtëpinë tonë, shikojmë skuadrën tonë dhe mendojmë vetëm të punojmë mirë për të marrë rezultate të mira. Sigurisht që - nënvizon Alessio Secco, - një Inter pa Ibrahimovicin për ne do të ishte një hap përpara”. Si të thuash: ne mendojmë për veten dhe besojmë se kemi punuar mirë në merkato. Por nëse do të vinte ndonjë ndihmë e vogël…

BLANC - Linjë e ndjekur nga Jeaan-Claude Blanc, mjeshtër i mbajtjes së “këmbëve në tokë”, i cili nuk premton atë që nuk është e sigurt. Interi më i dobët pa Ibrën? “Do ta merrja me qetësi këtë tip diskutimi - shpjegon administratori i deleguar bardhezi. Nëse në vend të suedezit vjen Eto'oja, nuk do të ishte edhe aq keq për ne. Le të themi se pa Ibrën, kampionati mund të jetë më zbavitës”.

CHIELLINI - Me sa duket, shitja e mundshme e Ibrahimovicit te Barcelona nuk do të gëzojë vetëm tifozët katalanas. Mbrojtësi i Juventusit Giorgio Chiellini, ka pranuar që sipas tij Interi mund të dobësohet nga kjo lëvizje: “Eto është një sulmues që shënon gola, por nuk është një lojtar në nivelin e Ibrahimovicit, nuk do të japë asnjëherë te Interi të njëjtën ndihmë që ka dhënë suedezi. Kjo është një epërsi për ne”. Chiellini ka folur edhe për Milanin: “Për ata mungesa e Kakàsë do të jetë shumë e rëndësishme”. Megjithatë, pavarësisht nga shitja e mundshme e Ibrës, zikaltrit mbeten favoritë në luftën për titull: “Ata mbeten favoritë, përsërit mbrojtësin juventin. Ne do të ndryshojmë modul, duhet të punojmë shumë. Cannavaro? Mund të luajë akoma një ose dy vjet, por të mirë ama, rëndësi ka që të jetë në formë deri në Botëror”.

Nuk ka komente: